I ftuar mbrëmjen e kësaj të enjteje në “Opinion” është ish-kryeministri i vendit Sali Berisha. Pyetja e parë që gazetari Blendi Fevziu i drejtoi kishte të bënte pikërisht me çështjen më të bujshme të momentit, kërkesa e SPAK për “arrest shtëpie” për kryedemokratin. Por fillimisht, Struktura e Posaçme i ka kërkuar Parlamentit t’i heqë imunitetin si deputet që më pas ai të përballet me drejtësinë.
Berisha, ashtu si herët e shkuara e cilësoi një akt të turpshëm dhe “puç” ndaj tij e opozitës. Ai u shpreh se nuk e ka zbatuar vendimin e Gjykatës për t’u paraqitur, pasi është në shkelje të Kushtetutës.
Sali Berisha: Nuk ka asgjë të re, në kuptimin që ky është një diktaturë bande e cila nuk njeh Kushtetutë dhe ligj. Vendimi i paraqitur nga skapistët e partisë në parlament është një akt i turpshëm, i pashembullt në historinë e një vendi.
-A do të arrestoheni apo jo?
Sali Berisha: Nuk kanë shkuar në Parlament për të kërkuar siç thotë rregullorja, siç është Kushtetuta, autorizimin për kufizimin tim të lirisë, por kanë shkuar për të rënduar masat të cilat i vendosën në mënyrë antikushtetuese.
-Ata pretendojnë se vendimet kanë kaluar në dy gjykata.
Sali Berisha: Jo, jo. Ishte vendimmarrje e mirëfilltë nga gjykata e pushtetit të parlamentit. Nëse Kushtetuta parashikon se nuk mund të hiqet liria në asnjë lloj forme pa marrë autorizimin e Kuvendit dhe askush s’mund të ndalohet pa lëviz lirshëm jashtë shtetit. Këto dy nene.
-Kjo është një çështje që Parlamenti duhet ta ngrejë në Gjykatë Kushtetuese.
Sali Berisha: Nëse tjetrit i thuhet se nuk lejohet të dalë jashtë shtetit, përsërit aktin e Putin ndaj Navalny-t.
Andi Tela: Është shkelje e Kushtetutës, por…
Sali Berisha: E ka nenin 38, shumë specifik.
Andi Tela: Por është në kuadrin e një kërkese që ka bërë SPAK, pavarësisht se ka bërë shpjegimin, ka marrë një vendim, Shkalla e dytë e Apelit e ka vendosur që vendimi është në fuqi, ndryshe nga unë apo të tjerët, ju jeni në pozitën që duhet të zbatoni vendimin e Gjykatës, ju gaboni në momentin që nuk i bindeni këtij vendimi. Në momentin që nuk zbatohet ju përsërisni një gabim.
-Ju jeni deputet, ish-kryeministër, ish president i këtij vendi.
Sali Berisha: Nëse unë zbatoj atë vendim, unë bëhem pjesë…Nuk e pranoj kurrë shkruarjen e Kushtetutës në tavolinat e prokurorit apo gjykatësit. Ju jeni gabim, pse? Ju predikoni të krijohet një nga precedentët më të rrezikshëm për të sotshmen dhe të ardhmen e vendit.
-Për momentin duhet të zbatoni vendimin…Ju do merrni një ftesë për të qenë në komision më 18 Dhjetor, si do veproni?
Sali Berisha: Nuk legjitimoj kurrë një akt të marrjes së pushtetit nga gjykatës e prokurorë për llogari të Edi Ramës.
-Është vendim, ky i juaji është koment.
Sali Berisha: Jeni gabim mor zotërinj! Nëse unë e bëj këtë, këtij vendi për dekada…Nëse unë do krijoja precedentin, i jepja mundësi çdo autokrati të eliminonte kundërshtarin politik. Unë nuk po zbatoj një vendim që është pjesë e një puci shteti brenda shtetit. Është atentat i rëndë ndaj rendit kushtetues.
-Kush e përcakton që është puç, shko në GJK dhe thuaje!
Sali Berisha: Kam ndjekur shkallët e gjykatës për të treguar që me gjithë situatën ekzistuese nuk pranoj të jem në një shoqëri parashtetërore. Kanë kërkuar dorëheqjen e gjyqtares.
***
Kryedemokrati u pyet nëse do ta pranojë rëndimin e masës së sigurisë në rast se Parlamenti i jep dritën jeshile SPAK-ut. Berisha u përgjigj se pas vendimit të Kuvendit do të pranojë të gjithë procedurën.
Blendi Fevziu: Zoti Berisha për të marrë përgjigje, nëse parlamenti në seancën plenare në 21 më e mundshmja, ndoshta edhe në Janar, por po marr 21-shin (Dhjetor), vendos që të aprovojë kërkesën e SPAK me shumicë votash dhe SPAK i drejtohet gjykatës, ju do ta njihni vendimin e gjykatës për rëndimin e masës suaj së sigurisë?
Sali Berisha: Unë pas vendimit të parlamentit do pranoj të gjithë procedurën.
Blendi Fevziu: Dakord, nëse thoni që do pranoni çdo lloj procedure…
Sali Berisha: Do ta denoncoj, por do ta pranoj, tjetër problem.
Blendi Fevziu: Denoncimi është e drejta juaj, por do ta pranoni, do ta zbatoni?
Sali Berisha: Pa asnjë diskutim. Në qoftë se këta shkonin në parlament dhe kërkonin autorizimin për një dy tre, unë nuk kisha asnjë… sepse Sali Berisha është personi që ka kërkuar të abrogohet totalisht neni 70 i Kushtetutës për imunitetin, të mos ekzistojë.
Sa i përket prezencës në seancën e 18 dhjetorit në Këshillin për Mandatet, Berisha tha se do e “konsultojë me avokatët”.
Në lidhje me mbledhjen e Këshillit të Mandateve, Berisha theksoi se po mblidhet si gjykatë me qëllimin që të rëndojë masën e sigurisë ndaj tij.
“Ka shkuar për të legalizuar ndërtimin e paligjshëm. Nuk bëhet ashtu”, tha ai.