Bota Pse po ngec Rusia në Ukrainë? BBC: Gabimet ushtarake që ka bërë...

Pse po ngec Rusia në Ukrainë? BBC: Gabimet ushtarake që ka bërë Moska

Rusia ka një nga forcat e armatosura më të mëdha dhe më të fuqishme në botë, por nuk e ka treguar diçka të tillë në luftën kundër Ukrainës. Analistët ushtarakë në Perëndim janë befasuar nga performanca e dobët në fushën e betejës. Qartazi, Rusia nuk ka përparuar në Ukrainë.

Çfarë ka shkuar keq?

Gabimi i parë i Rusisë ishte nënvlerësimi i forcës së rezistencës dhe aftësive  ushtarake të Ukrainës. Rusia ka një buxhet vjetor të mbrojtjes prej më shumë se 60 miliardë Dollarë, krahasuar me shpenzimet e Ukrainës prej pak më shumë se 4 miliardë dollarë.

Në të njëjtën kohë, Rusia duket se ka mbivlerësuar fuqitë e veta ushtarake. Presidenti Vladimir Putin kishte nisur një program ambicioz për të modernizuar ushtrinë e tij.

Rusia ka investuar në kapacitetin e saj bërthamor. Ky vend supozohet të ketë ndërtuar tankun më të avancuar në botë, T-14 Armata, por ajo çfarë shikohet në terren janë tanke të vjetra.

Ajo çfarë vihet re tjetër është rënia e moralit tek ushtarët rusë. Shumë prej tyre janë të lodhur dhe të uritur, pasi ata kishin pritur në dëborë për javë të tëra në Bjellorusi dhe Rusi përpara se t’u jepej urdhri për të sulmuar.

Gabimi i fundit është tek furnizimet dhe logjistika. Rusia ka luftuar me bazat. Ekziston një thënie e vjetër ushtarake që amatorët flasin për taktika ndërsa profesionistët studiojnë logjistikën. Kolonat  e blinduara kanë mbetur pa karburant dhe municione. Automjetet janë prishur dhe janë lënë të braktisura, e më pas janë tërhequr nga traktorët ukrainas.

Por pavarësisht progresit të ulët, ka nga ata zyrtarë perëndimorë ende paralajmërojnë se Presidenti Putin mund të fillojë një ofensivë më të madhe dhe të fitojë terren.

Vritet edhe një tjetër gjeneral rus

Ndërkohë, ushtria e Ukrainës ka bërë të ditur me anë të një postimi në Facebook mëngjesin e së shtunës se ka vrarë një tjetër drejtues të lartë të ushtrisë ruse në betejë.

Në postim thuhet se Andrei Mordvichev, gjeneral-lejtnantin, ka mbetur i vdekur pas shkëmbimit të zjarrit me forcat ukrainase.

Në përditësim thuhet gjithashtu se vija e frontit të luftës nuk kishte ndryshuar ndjeshëm në 24 orët e fundit. Trupat e Ukrainës kishin arritur të shkatërronin disa kolona me personel ushtarak rus në rajonet Mykolaiv dhe Sumy.