Kryesore Pse Shqipëria është e paprekur nga koronavirusi. OBSH: Kjo është diçka e...

Pse Shqipëria është e paprekur nga koronavirusi. OBSH: Kjo është diçka e re për ne

Nuk ka raste të prekura me koronavirus në Shqipëri. Në mbledhjen e sotme të Task-Forcës për masat kundra koronavirusit, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu konfirmoi edhe një herë që nuk kemi raste të koronavirusit të ri në vendin tonë.

“Mbështes punën e strukturave tona në terren, sidomos në pikat kufitare, ku po bëhet një punë intensive, ku po kontrollohet çdo udhëtar. Mbështes edhe punën e urgjencës kombëtare, që po bëjnë një punë të lavdërueshme, qysh nga telefonata deri te marrja e testimeve në banesa. Punën jonë do të vijojë duke siguruar gjithë stokun e nevojshëm. E gjithë bota po përballet me një mungesë stoku, pasi ka pasur një përparim shumë të shpejtë të sëmundjes në të gjithë botën”, ka deklaruar ministrja Manastirliu.

Edhe tre rastet e dyshuara dje me koronavirus në Vlorë kanë rezultuar negative, duke e çuar kështu në 42 numrin e testimeve për rastet e dyshuara. Lajmi u konfirmua më herët nga Kujtim Llapi drejtor i shërbimit shëndetësor parësor për qarkun e Vlorës.

Ndër të tjera Ministria tha se pas urdhrit për përforcimin e higjienës në shkolla, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka kërkuar edhe nga bashkitë dhe shërbimit të aviacionit civil të rrisin edhe më shumë masat higjiena-sanitare.

Pse nuk ka raste në Shqipëri?

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe drejtori i OBSH në Shqipëri, Raul Gonzales i cili ka vlerësuar transparencën e qeverisë shqiptare dhe për sa i përket pyetjes se “pse nuk ka raste në Shqipëri?”, ai tha se duhet të besojmë institucionet dhe të shmangim dezinformimin që është i dëmshëm për ekonominë dhe shoqërinë.

“Sigurisht ka shumë për të bërë. Sapo jam kthyer nga Spanja dhe ne kemi raste të personave të infektuar me COVID. Pse ndodh që në Shqipëri nuk ka?”. Ne jemi ende duke e mësuar. Kjo është diçka e re për ne. Personat që u zbuluan në Spanjë nuk kishin pasur fare kontakt me vendet ku incidenca është më e shpeshtë”, u shpreh ai.