Opinione Pse Sylvinho po iu bën karshillëk tifozëve kuqezi?

Pse Sylvinho po iu bën karshillëk tifozëve kuqezi?

Nëse ndeshja me Italinë mund të konsiderohej edhe pak mungesë fati dhe eksperience, Kroacia tregoi limitet e vërteta të Shqipërisë.

Trajneri Sylvinho ka gabuar në mënyrë flagrante sepse me “operacionin fshesa” nuk tregoi asnjëherë që qëllim kishte pastrimin e Kombëtares nga reliket dhe të paprekshmit. Në Hamburg doli kundër një populli dhe logjikës së thjeshtë për të lënë në stol më të dobëtin e ndeshjes paraardhëse. A thua ta ketë bindur Fevziu apo forcat e mbinatyrshme?

Çfarë e bën të pazëvendësueshëm një gabues serial? Kush po shtyn që Hysaj të abonojë me stolin Balliun? Pse ky karshillëk ndaj tifozëve që edhe pse me çmimin e biletave 10-fish të ndjekin deri në brigjet e veriut të Europës?

A mund të thuhet e njëjta gjë për Asanin jashtë çdo standarti Arbër Hoxhën në superformë?

Nuk është e nevojshme të kesh licencën e trajneri për të vlerësuar situata të tilla dhe askush nuk pretendon të jetë timonier i Kombëtares, por sjelljet e fundit të Sylvinho-s ndoshta po tregojnë që edhe braziliani pasi mori pasaportën në Lushnje, ka filluar të mendojë e sillet pak si shqiptar./Sfidanti Sportiv