Tim Brinkhof – Big Think
Megjithëse Shekspirin e donin shumë njerëz, vlerësimi për punën e tij nuk është universal. Janë disa shkrimtarët po aq të famshëm sa ai që nuk e pranojnë kurorëzimin e tij si dramaturgu më i madh i të gjitha kohërave. Pasi punoi për tre vjet si kritik teatri, Xhorxh Bernard Shou e ndjeu veten borxhli ndaj botës, për t’i hapur sytë për “boshllëkun e filozofisë së Shekspirit”. Si studiues i letërsisë angleze, J.R.R. Tolkien njihej për përbuzjen ndaj Shekspirit dhe Volteri nuk mund të fliste për të pa iu nxehur gjakrat. Megjithatë, asnjë gjigant i letërsisë nuk e përbuzte Shekspirin aq shumë sa Leo Tolstoi.
Tolstoi kundër Shekspirit
I lindur në një familje aristokrate, autori i “Lufta dhe Paqja” ra në kontakt me Hamletin dhe Makbethin që në moshë të vogël dhe u mërzit kur kuptoi se i vetmi nga miqtë dhe anëtarët e familjes së tij që nuk i shihte ato si kryevepra të vërteta.
Kur Tolstoi i kërkoi Ivan Turgenjevit dhe Afanasy Fetit – dy shkrimtarë të cilët ai i admironte dhe i respektonte – t’i tregonin se çfarë e bënte të madh Shekspirin, ai zbuloi se kishin përgjigje të paqarta, që nuk ndaleshin te saktësia e gjuhës apo niveli i thellë i analizës që kishin demonstruar shpesh në fiksionet e tyre. Tolstoi mendoi se mund ta shihte ndryshe Shekspirin në pleqëri. Por kur e rilexoi për herë të nëntë në moshën 75-vjeçare, kuptoi se mendonte po njësoj dhe vendosi t’i hidhte kritikat e tij në letër.
Megjithëse jo pa të metat dhe paragjykimet e saj, eseja e vitit 1906, që erdhi nga kjo përpjekje, është një sulm i qartë ndaj trashëgimisë së Shekspirit dhe institucioneve që ndihmuan në ndërtimin e saj. Së pari, Tolstoi vuri në dyshim aftësinë e Shekspirit si dramaturg. Personazhet e tij ishin vendosur në rrethana të pabesueshme si vrasja biblike dhe shkëmbimet e identitetit të stilit komik, çka e bënte të vështirë lidhjen e tyre me audiencën. Ata gjithashtu shpesh vepronin jashtë karakterit, duke mos shkuar pas formatit të personalitetit të tyre, por pas skenarit.
Njësoj si shkrimtarët rusë të asaj kohe, Tolstoi u përpoq t’i jepte çdo personazhi në letërsinë e tij një zë të veçantë, një zë që ndryshonte në varësi të moshës, gjinisë ose klasës që i përkiste. Princeshat flisnin me delikatesë dhe kishin fjalor të pasur, ndërsa fshatarët e dehur murmurisnin. Me Shekspirin, i cili gjithmonë shkruante në të njëjtin stil poetik, “fjalët e njërit prej personazheve mund të vendoseshin në gojën e një tjetri dhe bëhej e pamundur të dalloje se kush po flet nëse gjykoje nga ligjërata”.
Besimi te Shekspiri
Tolstoi u interesua për Shekspirin jo sepse donte të kuptonte mospëlqimin e tij për njeriun, por sepse ishte i befasuar dhe dyshues për gatishmërinë me të cilën njerëzit e tjerë nxituan për ta ndihmuar. “Kur u përpoqa të merrja nga adhuruesit e Shekspirit një shpjegim për madhështinë e tij,” shkroi Tolstoi, “pashë tek ata saktësisht të njëjtin qëndrim që kam hasur dhe që zakonisht haset, te mbrojtësit e çdo dogme të pranuar jo përmes arsyes, por përmes besimit.”
Në gjysmën e dytë të esesë, Tolstoi spekulon se si mund të ketë jetë ngritur ky besim rreth Shekspirit. Duke gjurmuar historinë e shkrimeve shkencore në dramat e tij që nga fundi i shekullit XVI, ai arriti në përfundimin se poeti gjerman Gëte kishte luajtur një rol kyç në ngritjen e veprës së Shekspirit nga një argëtim për klasën e ulët, siç shihej gjatë kohës kur ai jetoi, në veprën e gjeniut të ndjeshëm dhe të pashtershëm letrar që njohim sot.
Të zhgënjyer nga dramat franceze që dikur i kishin frymëzuar, intelektualët gjermanë u kthyen nga Shekspiri, theksi i të cilit mbi emocionet, mbi mendimet dhe idetë e bëri atë themel të përshtatshëm për të ndërtuar shkollën e tyre të re të rrëfimit romantik. Ishte një shkollë për të cilën Tolstoi, i cili besonte se arti nuk duhej të ishte thjesht estetikisht i këndshëm, por t’i shërbente një qëllimi shoqëror, nuk mendonte shumë. Në fakt, ai i akuzon ata se kanë “shpikur teori estetike” në përpjekje për t’i kthyer opinionet e tyre në fakte.
Ndërkohë që mendimi i Tolstoit u formësua dukshëm nga paragjykimet e tij dhe herë pas here kufizohet me konspiracionin, është e vërtetë se bota akademike ka tentuar të kalojë nga një prirje në tjetrën dhe se këto kalime nuk janë bërë gjithmonë duke ndjekur dijen dhe vetëm atë. Sot, për shembull, dikush mund të argumentojë se trashëgimia e Shekspirit është ende e gjallë për shkak të cilësisë së natyrshme të punës së tij, por sepse karriera e kaq shumë akademikëve, aktorëve dhe kompanive teatrore janë varur prej tij.
Përgjigja e Xhorxh Oruellit për Tolstoin
Shekspiri jetoi disa shekuj para lindjes së Tolstoit dhe nuk kishte si t’u përgjigjej akuzave të këtij të fundit. Për fat të mirë, bashkatdhetari i tij – shkrimtari britanik Xhorxh Oruell – i shkroi Tolstoit një përgjigje me të cilën mbronte Shekspirin, një përgjigje që ofron një argument po aq bindës se pse duhet të lexojmë Shekspirin. Megjithatë, përpara se ta bëjë këtë, Oruell ndalet te mangësitë e arsyetimit të Tolstoit, duke filluar me nocionin se përcaktimi i një artisti si i mirë apo i keq është thjesht e pamundur.
Është një argument që e kemi dëgjuar shumë herë, por që ia vlen të dëgjohet sërish, qoftë edhe për përfundimin e tij veçanërisht të rëndësishëm. Ashtu si idetë e vetë Tolstoit për artin ishin të ndryshme, nëse jo krejtësisht të kundërta me ato të romantikëve gjermanë që ai kundërshton, po ashtu ishin edhe idetë e shkrimtarëve që ndoqën gjurmët e tij. “Në fund të fundit,” shkruante Oruell në esenë e tij në vitin 1947, “nuk ka asnjë provë të meritës letrare përveç mbijetesës, e cila është në vetvete një tregues për opinionin e shumicës”.
Oruell nuk e mendoi se ishte e drejtë nga ana e Tolstoit të ndëshkonte bashkatdhetarët e tij për paaftësinë e tyre për të vlerësuar gjenialitetin e Shekspirit, kur konceptet e tij për letërsinë – që ajo duhej të ishte “i sinqertë” dhe të përpiqej të bënte diçka “të rëndësishme për njerëzimin” – ishin po aq të paqarta. Oruell gjithashtu kundërshton analizën që Tolstoi u bën dramave të Shekspirit, duke perifrazuar fjalimin e përzemërt që bën Mbreti Lir pas vdekjes së Kordelisë si: “Përsëri fillojnë tërbimet e tmerrshme të Lear-it, në të cilat njeriu ndihet i turpëruar, si për shakatë pa kripë”.
Më e tmerrshme, mendonte Oruelli, ishte se Tolstoi e gjykoi Shekspirin sipas parimeve të një prozatori në vend të asaj që ai ishte: një poet. Duke marrë parasysh se shumica e njerëzve e vlerësojnë Shekspirin jo për strukturat e skenarëve apo karakteret, por për përdorimin e suksesshëm të gjuhës – fjalimet e fuqishme nga “Jul Cezari”, lojën e zgjuar të fjalëve te “Fisnikët e Veronës” dhe metaforat goditëse që shkëmbejnë Romeo dhe Zhuljeta – kjo është ajo ku gabon Tolstoi.
Gjyshi i vrerosur dhe fëmija i lumtur
Në fund të ditës, Oruellit i pëlqen ta imagjinojë Shekspirin si një fëmijë të vogël që luan i gëzuar dhe Tolstoin si një plak inatosur i ulur në cep të dhomës, që bërtet: “Pse vazhdon të kërcesh lart e poshtë kështu? Pse nuk mund të ulesh si unë?” Kjo mund të tingëllojë budallallëk, por ata që kanë studiuar jetën e Tolstoit – dhe janë ia njohin impulsin e tij kontrollues dhe natyrën serioze – do ta gjejnë veten duke menduar për kritikë të tjerë që kanë bërë deklarata të ngjashme.
Ndërsa të gjitha personazhet e Shekspirit mund të flasin në atë mënyrën tipike shekspiriane, secila nga dramat e tij ende mbetet unike dhe krejtësisht e dallueshme nga paraardhësja. Në esenë e tij, “Dhelpra dhe Iriqi”, filozofi britanik me origjinë gjermane, Isaiah Berlin e krahasoi kureshtjen fëmijërore me të cilën Shekspiri kaloi nga një zhanër në tjetrin, me mënyrën e vetme dhe të pandryshueshme në të cilën trillimet e Tolstoit eksploruan botën.
Në mënyrë të ngjashme, dramaturgu bolshevik Anatoli Lunacharsky dikur e quajti Shekspirin “polifonik deri në ekstrem”, duke iu referuar një termi të shpikur nga bashkëkohësi i tij, Mikhail Bakhtin. E thënë thjesht, Lunacharsky u mahnit nga aftësia e Shekspirit për të krijuar personazhe që dukej se e merrnin në dorë jetën e tyre, duke ekzistuar në mënyrë të pavarur nga krijuesi i tyre. Kjo ishte në kontrast të plotë me Tolstoin, i cili e trajtonte çdo personazh si një zgjatim ose reflektim të vetvetes dhe i përdorte si zëdhënës për besimet e tij.
Konflikti midis Leo Tolstoit dhe Uilliam Shekspirit ishte më shumë se shije; ishte një përplasje mes dy mënyrave të ndryshme si shihej jeta dhe arti. Oruell e solli këtë diskutim në fokus. Ndoshta kontributi i tij më i madh i tij, megjithatë, ishte vënia në dukje e ngjashmërive midis Tolstoit dhe krijimit shekspirian, që ai urrente më shumë: Mbretit Lir. Të dy këta pleq hoqën dorë nga titujt, pasuritë dhe anëtarët e familjes duke menduar se kjo do t’i bënte të lumtur. Në vend të kësaj, ata përfunduan duke bredhur fshatrave si të çmendur.