Presidenti Donald Trump bëri të ditur se do t’i fillojë sërish konferencat për shtyp në Shtëpinë e Bardhë lidhur me situatën e krijuar nga koronavirusi, në një kohë kur numri i të infektuarve në shkallë vendi vazhdon të rritet.
Vendimi i presidentit për zhvillimin e konferencave të përditshme vjen ndërsa sipas sondazheve mbështetja ndaj tij ka rënë dhe këshilltarët e kanë inkurajuar të japë më shumë informacion rreth përgjigjes së administratës së tij ndaj pandemisë.
Gjasat janë që konferencat të nisin të martën. Presidenti pritet të flasë lidhur me përparimin e shënuar në fushën e mjekësisë për të luftuar pandeminë, përfshirë vaksinat dhe terapitë.
Nuk është e qartë nëse presidenti Trump do të pranojë pyetje gjatë konferencave për shtyp apo nëse do ta ndajë podiumin me të tjerë, përfshirë Nënpresidentin Mike Pence dhe ekspertët e shëndetit publik Anthony Fauci dhe Deborah Birx. Kohët e fundit Trump e ka kritikuar Fauci-n, ekspertin kryesor të sëmundjeve infektive të vendit. Gjatë një interviste për “Fox News” që u transmetoi të dielën Trump tha se Fauci është “paksa alarmist”. Megjithatë presidenti shtoi se ka “një marrëdhënie të shkëlqyer me të”.