Banorët e Bllokut nuk e kalonin jetën aq paq, pa telashe. Nuk mungonin as aty zhgënjimet, intrigat, veset dhe as shqetësimet njerëzore si ato që përjetonin qytetarët që jetonin jashtë tij. Kishte edhe në Bllok zili, ambicie mes banorëve, lajkat, servilizëm e hipokrizi. E sidomos kishte kontroll e komente të jetës së njëri – tjetrit.
Në Bllok si kudo tjetër kishte edhe ditë zije, sepse në privilegjet që gëzonin banorët e tij nuk përfshihej pavdekësia. Vdekja që tronditi së tepërmi Bllokun ishte ajo e Gogo Nushit, ish–anëtar i Byrosë Politike, shok i ngushtë lufte i Enver Hoxhës. Ai vdiq në moshën 57 vjeçare në 9 prill 1970, dhe u varros me një ceremoni shtetërore.
“Hija e vdekjes e Gogos i tkurri vërtetë udhëheqësit. Vdekje së cilës i shpëtuan në mal, luftë, mund ti vinte nga një armik tjetër që këta nuk e kishin llogaritur dhe nga i cili nuk mbroheshin dot me ushtarë dhe automatikë”, tregon Prof. Dr Isuf Kalo, autor i Librit “Blloku”.
Vdekja më e bujshme e banorëve të Bllokut, e shndërruar në ngjarje madhore kombëtare, ishte ajo e Hysni Kapos në vitin 1979. Ai ishte numri tre në hierarkinë më të lartë të udhëheqjes. Kapo vdiq nga një sëmundje e pashërueshme në Paris dhe u varros me një ceremoni tepër madhështore.
Kurse vdekje pa asnjë ceremoni varrimi, e mbështjellë nga një atmosferë e ngrirë misteri, ishte ajo e Mehmet Shehut në dhjetor të vitit 1981. Në vend të dhimbjes ajo krijoji hutim, dyshim, pështjellim dhe zemërim te Enver Hoxha.
“Asnjëra nga “vdekjet e personazheve madhore” të treshes më të lartë udhëheqëse nuk shpëtoi pa u mitizuar. Këta udhëheqës nuk mund të vdisnin kurrsesi nga shkaqe natyrore, apo mjekësore, ose duhet të ishin vrarë ose helmuar nga armiqtë”, tregon Prof. Dr Isuf Kalo, autor i Librit “Blloku”.
Liljana, gruaja e djalit të vogël të Enverit, nën atmosferën paranojake të Bllokut u “zgjua” 16 vjet pas vdekjes së vjehrrit duke shpërfillur diagnozën dhe shkaqet e dokumentuar të vdekjes, dhe shpalli publikisht se Enveri ishte helmuar. Sipas saj, ai ishte helmuar nga një komplot i përbashkët i Nexhmijes dhe Ramizit, në të cilin ishin përfshirë edhe Sulo Gradecit, kryeroja i tij si dhe mjeku personal Isuf Kalo.
Diçka e ngjashme ndodhi edhe në rastin e Hysni Kapos. Edhe pse ajo ishte e paevitueshme për shkak të sëmundjes së tij, disa familjarë nuk deshën ta pranojnë. Ata deri tani vonë vijojnë të ngrenë pikëpyetje me aludime për vdekjen “gjoja” të pashpjegueshme, enigmatike, jo natyrale të tij.
Nuk u besua nga simpatizantët, familjarët dhe nga njerëz të afërt, as vetëvrasja e Mehmet Shehut. Ndonëse logjika të çonte tek dyshimet, pas akuzave dhe sulmeve personale ndaj dinjitetit, meritave e lavdisë së tij që i bënë ish shokët e Byrosë. Këto ishin dëshmuar qartazi edhe në letrën që Mehmeti la pas të shkruar me dorën e tij.
Sipas kësaj mendësie, vdekja natyrale nga mplakja apo nga sëmundjet ndodh vetëm te njerëzit e zakonshëm. Liderët e mëdhenj nuk vdesin prej tyre. Kjo i shndërron ata në viktima, në martirë apo heronj të “rënë në krye të detyrës” të glorifikuar përjetësisht në histori. Bashkë me këtë vazhdon kredibiliteti, favoret dhe privilegjet për familjarët e tyre të mbetur gjallë./Top Story