Opinione Pse Vladimir Putin e ka të humbur këtë luftë

Pse Vladimir Putin e ka të humbur këtë luftë

Në foto një instruktor duke stërvitur një grua si të përdorë një kallashnikov në Kharkiv, Ukrainë.

Yuval Noah Harari

Rusia edhe mund ta pushtojnë Ukrainën, por, ditët e fundit, ukrainasit kanë treguar se nuk do t’ia lënë ta mbajnë.

Në më pak se një javë luftë, duket përditë e më qartë se Vladimir Putin po shkon drejt një disfate historike. Ai mund t’i fitojë të gjitha betejat dhe, prapë, ta humbasë luftën. Ëndrra e Putinit për rindërtimin e perandorisë ruse, janë mbështetur, gjithmonë në gënjeshtrën se Ukraina nuk është një komb i mirëfilltë, se ukrainasit nuk janë popull më vete, dhe se banorët e Kievit, Kharkivit dhe Lvivit dëshirojnë qeverisjen e Moskës. Kjo është një gënjeshtër e madhe: Ukraina është një komb me më shumë se një mijë vjet histori dhe Kievi ka qenë metropol, kur Moska nuk ishte as fshat. Por despoti rus e ka thënë aq shpesh këtë gënjeshtër, sa tashmë duket se e beson edhe ai vetë.

Kur planifikonte pushtimin e Ukrainës, Putin kishte mjaft në dorë. Ai e dinte se fuqia ushtarake e Rusisë ishte disafish më e madhe se ushtria Ukrainase. Ai, gjithashtu, e dinte se NATO nuk do të dërgonte trupa për të ndihmuar Ukrainën. Po ashtu, e dinte se varësia evropiane nga nafta dhe gazi rus do t’i bënte vendet si Gjermania të hezitonin para vendosjes së sanksioneve të ashpra. Bazuar në këto fakte të njohura, plani i tij ishte të godiste fort dhe shpejt Ukrainën, të hiqte qafe qeverinë aktuale, të vendoste një regjim “kukull” dhe t’ia dilte mbanë me sanksionet e Perëndimit.

Sidoqoftë, plani kishte një të panjohur të madhe. Ashtu si u mësua nga amerikanët në Irak dhe sovjetikët në Afganistan, është shumë më e lehtë ta pushtosh një vend sesa ta mbash atë. Putin e dinte se fuqinë për të pushtuar Ukrainën e kishte. Por a do ta pranonte populli ukrainas regjimin kukull të Moskës? Putini mendoi se po. Në fund të fundit, si i thotë vazhdimisht kujtdo që dëshiron ta dëgjojë, Ukraina nuk është një komb i mirëfilltë dhe ukrainasit nuk janë një popull më vete. Në 2014-ën, Krimeja nuk është se i rezistoi fort pushtimit rus. Pse në 2022-ën duhet të ishte ndryshe?

Por çdo ditë që kalon, bëhet më e qartë se Putini e kishte gabim. Populli ukrainas po reziston me gjithë zemër dhe po fiton admirimin e të gjithë botës, teksa fiton luftën. Ditë të zeza i presin, sigurisht. Rusët edhe mund ta pushtojnë Ukrainën. Por, për të fituar luftën, rusëve i duhet ta mbajnë Ukrainën, dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse ukrainasit do ia lejonin, çfarë duket thuajse e pamundur.

Çdo tank rus që shpartallohet dhe çdo ushtar rus që vritet shton guximin e ukrainasve për të rezistuar. Dhe çdo ukrainas i vrarë thellon urrejtjen e popullit ndaj pushtuesve. Urrejtja është ndjenja më e shëmtuar. Por për kombet e shtypura, urrejtja është një thesar i fshehur. E mbajtur thellë në zemër, urrejtja mund ta ushqejë rezistencën ndër breza. Për të rivendosur perandorinë ruse, Putinit i duhet një fitore relativisht jo e përgjakur, që do të çojë në një pushtim relativisht pa urrejtje. Duke derdhur gjithnjë e më shumë gjak ukrainas, Putin po e bën ëndrrën e vet të parealizueshme. Emri që do shkruhet në certifikatën e vdekjes së perandorisë ruse nuk do jetë ai i Mikhail Gorbaçovit por emri i Putinit. Gorbaçovi i la rusët dhe ukrainasit me një ndjenjë vëllazërie, ndërsa Putini i ktheu në armiq dhe ka arritur që kombi ukrainas tash e tutje ta përkufizojë veten si kundërshtar të Rusisë.

Kombet, në fund të fundit, ndërtohen mbi histori. Çdo ditë që kalon i shumëfishon historitë që ukrainasit do tregojnë si në ditët e errëta që afrojnë, si në dekadat dhe brezave që do të vijnë. Presidenti që refuzoi të linte kryeqytetin, duke i thënë SHBA-së se i duhej municion, jo ndonjë udhëtim; ushtarët në Ishullin e Gjarpërinjve që i thanë një luftanijeje ruse “ik pi…”; civilët që u përpoqën të ndalonin tanket ruse duke u ulur para tyre. Këto janë historitë që ndërtojnë kombet. Në plan afatgjatë, këto histori vlejnë më shumë se tanket.

Despoti rus e di këtë aq mirë sa kushdo tjetër. Edhe ai është rritur me tregimet e mizorive të gjermanëve dhe trimërive të rusëve, gjatë rrethimit të Leningradit. Ai tani po prodhon histori të ngjashme, por se po e vendos veten në rolin e Hitlerit.

Historitë e trimërisë ukrainase ia shtojnë vendosmërinë jo vetëm ukrainasve, por gjithë botës. Ata u japin kurajo qeverive të kombeve evropiane, administratës amerikane, madje edhe qytetarëve të shtypur të Rusisë. Nëse ukrainasit e paarmatosur marrin guximin të ndalojnë një tank, qeveria gjermane do e marrë guximin t’i furnizojë ata me disa raketa antitank, qeveria amerikane mund ta marrë guximin t’ia ndalojë Rusisë Swift-in dhe qytetarët rusë mund të marrin guximin të demonstrojnë kundërshtimin e tyre ndaj kësaj lufte të pakuptim.

Ne të gjithë mund të frymëzohemi dhe të guxojmë. Qoftë një donacion, pritja e refugjatëve apo qoftë edhe suport në internet. Lufta në Ukrainë do të formësojë të ardhmen e mbarë botës. Nëse tirania dhe agresioni lejohen të fitojnë, pasojat do i vuajmë të gjithë. Nuk mund të jemi vëzhgues; ka ardhur koha të shprehim qëndrimin tonë.

Fatkeqësisht, ka të ngjarë që kjo të jetë luftë e gjatë. Në forma të ndryshme, mund të vazhdojë me vite. Por për çështjen më të rëndësishme tashmë është vendosur. Ditët e fundit i kanë treguar botës se Ukraina është një komb i mirëfilltë, se ukrainasit janë një popull më vete dhe se ata nuk duan aspak të jetojnë nën perandorinë e re ruse. Pyetja kryesore që kërkon ende përgjigje është se sa kohë do i duhet këtij mesazhi të depërtojë përmes mureve të trasha të Kremlinit.

Analiza është shkruar nga Yuval Noah Harari, historian për The Guardian.