Sport PSG kthehet “duarbosh” nga Londra, ndërsa Bayern bën sakrificën në sulm për...

PSG kthehet “duarbosh” nga Londra, ndërsa Bayern bën sakrificën në sulm për të siguruar Harry Kane

Harry Kane dëshiron vetëm Bayern Mynih dhe ka refuzuar një ofertë që ka ardhur nga PSG. Ky lajm ka gëzuar drejtuesit e skuadrës bavareze, që janë gati të formulojnë një ofertë të dytë për sulmuesin e Tottenham dhe kombëtares angleze.

Oferta e parë ishte 70 milionë euro, por Spurs e refuzuan atë, pasi kërkojnë 100 milionë, shumë të cilën Bayern nuk e disponon. Për të bërë të mundur këtë gjë, kampionët e Gjermanisë kanë vendosur të shesin Sadio Mane, për të siguruar pjesën e mbetur të parave.

Kostoja e Mane është rreth 20 milionë euro dhe kjo shumë do t’i shtohet asaj prej 70 milionë plus bonus, për të mbyllur marrëveshjen. Klubi bavarez, sipas “Bild”, ka një marrëveshje paraprake me lojtarin, por mungon ajo me klubin, që mund të zgjidhet brenda javës tjetër.

Kane ka mbërritur dje në Londër e ka nisur stërvitjen me Tottenham, me të cilin ka ende një vit kontratë. Ai ka bërë të qartë se ose do të shkojë në Mynih ose do të luajë me Spurs deri në fundin e sezonit të ri, pa e rinovuar kontratën, duke u larguar kështu me koston zero.