Kosova Çfarë ndodhi në Kuvendin e Kosovës? Del videoja e re se si...

Çfarë ndodhi në Kuvendin e Kosovës? Del videoja e re se si nisi përleshja fizike

Lidhur me dhunën në parlamentin e Kosovës kanë ardhur reagimet zyrtare nga dy forcat politike të përfshira në përleshjen fizike.

Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar videon ku shihet kryeministri Albin Kurti, i bllokuar në foltore, në shoqërinë e ministrave dhe deputetëve të tjerë.

“I patrembur para krimit të 20 vjetëve!”, shkruhet në fjalinë e përdorur për të pasqyruar materialin filmik.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës reagoi duke dënuar ashpër, atë që e konsideroi një sulm të zëvendëskryeministrit Besnik Bislim në drejtim të deputetëve të këtij subjekti. “Tani, gjithçka është e qartë. Kjo Qeveri, ky kryeministër, ky pushtet, shihet qartë se duke tentuar të fshehë koordinimin dhe bashkëpunimin me Millan Radojçiç, po përdorë çdo mjet, edhe dhunën, ndaj deputetëve opozitarë”, shkruhet në njoftimin e PDK.

Si nisi përleshja

Pasi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, vendosi një letër ku Albin Kurti dukej me hunda të zgjatur si simbolikë e gënjeshtarit, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, nga vendi i tij shkoi hoqi letrën dhe e grisi.

Më pas deputeti Mërgim Lushtaku hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Kurti, derisa prapë Besnik Bislimi e goditi me shishe Lushtakun.

Ky ishte edhe fillimi i përplasjes në mes të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Krejt kjo ndodhi derisa Kurti po mbante fjalimin e tij duke treguar se qeveria ka pasur suksese në Veri.