Ekonomia më e madhe në botë raporton plot 304 mijë vende të reja pune në sektorin jo-bujqësor gjatë Janarit, duke hedhur kështu poshtë çdolloj parashikimi si dhe frike në lidhje me efektin e mbylljes së qeverisë amerikane për më shumë se 1 muaj.
Papunësia është ngjitur në 4%, nga 3.9% që ishte muajin paraardhës, disi larg niveleve të pak muajve më parë, por sërish pranë niveleve rekord të ulëta.
Ekspertët e departamentit të punës nënvizojnë se të punësuarit federale janë numëruar si të punësuar gjatë kësaj periudhe, pasi ata kanë marrë pagë deri në javën dytë të janarit, kur edhe është kryer anketimi.
Rritja e vendeve të reja të punës me rreth 300 mijë është thuajse sa dyfishi i pritshmërive.
Tregjet dhe analistët projektonin një rritje në 170 mijë dhe normën e papunësisë të mbetej e pandryshuar në 3.9%. Janari shënon muajin e 100-të me radhë në rritje për tregun e punës, që është edhe seria më e gjatë në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Titujt qeveritarë, por edhe aksionet u rritën ndjeshëm menjëherë pas publikimit të këtyre të dhënave.