Çdokush që punon në shtet, duke filluar që nga dita e sotme do të çojë në shtëpi të paktën 37.500 lekë. Kjo shifër përkon me pagën minimale bruto për të gjithë punonjësit e administratës publike, përcaktuar nga qeveria me një vendim të posaçëm që do të vihet në zbatim pikërisht në nisje të këtij muaji.
Në total, janë rreth 6.900 punonjës të tillë, të cilët do të përfitojnë nga rritja e parashikuar e pagës në nivelin prej 36%, duke i kushtuar buxhetit të shtetit plot 1 miliard lekë më shumë.
Sipas vendimit të ministrisë së Financave, rritja e re e pagave varion nga niveli prej 7% deri në 36%.
Më poshtë mund të njiheni me rritjen e pagave sipas kategorive:
BUXHETORËT
– Punonjësit e cilësuar si mbështetës të administratës publike, si rojet, shoferët, sportelistët, operatorët, magazinierët, rritja e pagës bazë minimale shkon rreth 37.500 lekë.
– Për punonjësit e ministrive dhe Këshillit të Ministrave; specialistit të kategorisë “III b” rroga do t’i rritet 3.990 lekë, duke arritur në nivelin prej 89.990 lekësh.
– Specialistit të kategorisë “IV a” rroga do t’i rritet “IV a” nga 1 marsi rreth 3.206 lekë dhe nga 45.800 lekë që merr sot, atij paga do t’i bëhet 70 mijë lekë.
SHENDETESIA
Përfitues nga rritja e rrogave të 1 marsit janë gjithsej 18.415 punonjës të sektorit shëndetësor, nga të cilët 4.650 mjekë dhe 13.765 infermierë. Fondi i parashikuar për t’u akorduar për këtë qëllim në buxhetin e shtetit, në formën e shtesës së pagave, është 1.3 miliardë lekë, apo 1 milion euro. Ndërsa paga e mjekut aktualisht është 69.008 lekë, ajo do të bëhet 78.095 lekë. Kurse rroga për infermierët nga 39.786 lekë do të bëhet 45.561 lekë.
ARSIMI
Për 34.630 mësues në rang vendi, rroga do të rritet në nivelin prej 10%, me një fond total shtese i cili do të jetë 1.3 miliardë lekë. Konkretisht, paga për një mësues të shkollës 9-vjeçare nga 61.600 do të jetë 64.650; ajo për një mësues të shkollës së mesme nga 64.000, do të arrijë 67.950. Nga ana tjetër, është parashikuar që pagat për 3. 826 pedagogë të rriten me nivelin prej do të rriten me nivelin prej 10%, teksa fondi që do të vihet në dispozicion është 450 milionë lekë. Konkretisht, paga e pedagogut nga 91.913 lekë do të bëhet 102.942 lekë, duke përfituar një shtesë rroge prej 11.030 lekësh.
POLICIA
Për 10 mijë punonjës të Policisë në rang vendi, pagat do të rriten në nivelin prej 10% deri në 35%. Ku në total, fondi i parashikuar për shtesën është 800 milionë lekë. Konkretisht, për një inspektor , paga do të rritet në nivelin prej 35%, duke nisur nga 1 marsi, duke u paguar me 69 mijë lekë.
USHTRIA
Për ushtarakët, rritja e pagës për çdo gradë do të jetë në nivelin prej 8% deri në 10%. Në total, përfitojnë rreth 6750 ushtarakë dhe fondi për shtesën e pagës është 480 milionë lekë. Konkretisht, rroga për një kapiten rritet në nivelin prej 10% apo 5700 lekë, ku nga 57 mijë lekë që paguhet sot një kapiten, duke nisur nga data1 mars do të marrë 62.700 lekë./AFP