Presidenti rus Vladimir Putin ka propozuar rishikimin e Kushtetutës, ku martesa të përcaktohet si bashkimi i një burri dhe gruaje, duke përjashtuar martesën mes homoseksualëve.
Ky është vetëm një ndër disa ndryshimet kushtetuese të propozuara nga Putin, të cilat pritet të votohen.
Kritikët i shohin propozimet si një mënyrë e Putinit për të mbajtur pushtetin edhe pas përfundimit të mandatit të tij presidencial në 2024.
Paketa përfshin dhe shpalljen e besimit të rusëve në Zot dhe ndalimin e heqjes dorë nga çdo territor rus.
Sipas BBC-së, amendamenti territorial do të forcojë qëndrimin e Rusisë për Krimenë, një rajon ukrainas të cilin e aneksoi në vitin 2014 dhe për Ishujt Kuril, të diskutuar me Japoninë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Një votim publik për rishikimin kushtetues është caktuar në datën 22 prill, por para kësaj duhet të marrë miratimin përfundimtar nga parlamenti dhe Gjykata Kushtetuese.