Bota Putin i dërgon SHBA-së një avion me ndihma

Putin i dërgon SHBA-së një avion me ndihma

Pandemia e koronavirusit duket se ka bërë si rrallëherë bashkë dy kundërshtarë të vjetër: Rusinë dhe SHBA-në.

Rusia ka dërguar në SHBA një aeroplan mallrash me maska ​​dhe pajisje mjekësore pasi Donald Trump pranoi ofertën e presidentit Vladimir Putin për ndihma humanitare për të luftuar shpërthimin e koronavirusit.

Avioni ushtarak rus “Antonov An-124-100”, u nis nga Moska mbrëmjen e së martës dhe do të arrijë në SHBA gjatë ditës së sotme. Pamjet nga aeroplani të transmetuara nga televizioni shtetëror rus treguan mijëra kuti kartoni me ndihma.

Ulja e tij ka të ngjarë të shkaktojë polemika midis kritikëve të Trump, të cilët kanë thënë që Putin do ta përdorë gjestin e vullnetit të mirë për t’i shpëtuar sanksioneve për ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.

Rusia ka deri më tani 2,777 raste të konfirmuara. Kryetari i Bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin, paralajmëroi Putin javën e kaluar se qeveria po nënvlerësonte ashpërsinë e shpërthimit.

SHBA ndërkohë ka më shumë se 188,000 raste të konfirmuara me koronavirus dhe më shumë se 3.900 viktima.

“Rusia na dërgoi një avion me pajisje mjekësore, ishte një gjest shumë i bukur”, deklaroi Trump.

Më vonë, Kremlini njoftoi se Putin i kishte ofruar Trump ndihmë gjatë një bisede telefonike, ku të dy palët diskutuan masat për të luftuar koronavirusin.

“Trump e pranoi me mirënjohje këtë ndihmë humanitare,” u tha zëdhënësi i Putinit Dmitri Peskov gazetarëve. “Tani që kjo situatë ka prekur të gjithë pa përjashtim dhe është globale, nuk ka asnjë alternative përveçse veprimit të përbashkët në frymën e partneritetit dhe ndihmës së ndërsjellë.”