Presidenti rus Vladimir Putin e krahasoi komunizmin me krishterimin, ndërsa mauzoleun e Vladimir Leninit në Sheshin e Kuq të Moskës me eshtrat e shenjtorëve të Kishës Ortodokse në malin Athos dhe gjetkë.
I cituar nga televizioni Rusia 1, presidenti rus foli për ngjashmëritë mes ideologjisë komuniste dhe besimit të krishterë.
“Ndoshta kjo që do them nuk u pëlqen disave, por ky është mendimi im. Para së gjithash, besimi na ka shoqëruar gjithmonë si popull dhe na ka bërë më të fortë sa herë jemi përballur me kohë të vështira. Ka pasur periudha ateizmi, gjatë së cilës priftërinjtë u persekutuan dhe kishat u shkatërruan, por në të njëjtën kohë u lind një religjion i ri.
Në fakt, ideologjia komuniste ka shumë ngjashmëri me krishterimin. Liria, barazia, vëllazëria, drejtësia: të gjitha vlerat e përmendura në Bibël janë të përfshira në “Kodin e Etikës për Ndërtimin e Komunizmit” (një tekst me 12 rregulla të përhapur në kohën e Bashkimit Sovjetik)”.
Putin madje shkoi një hap më tej duke krahasuar mauzoleumin e Leninit me eshtrat e shenjtorëve të krishterë.
“Shikoni, trupi i Leninit u vendos në një mauzole. Si ndryshon kjo nga eshtrat e shenjtorëve të Kishës Ortodokse dhe të krishterimit në përgjithësi? Disa thonë se nuk ka traditë të ngjashme në besimin e krishterë. Por nëse dikush shkon në malin Athos dhe hedh një vështrim, do të shohë se ka eshtra të shenjtorëve. Ka edhe këtu në vendin tonë”.
Deklaratat e Putinit, ndonëse provokuan pakënaqësi te shumë të krishterë besnikë, u pritën me entuziazëm nga anëtarët e Partisë Komuniste në vendin e tij.
“Unë mendoj se ky pozicion i presidentit është në gjendje të zbusë në një mënyrë shumë efektive dhe logjike polemikat rreth çështjes së mauzoleumit. Komunistët dhe forcat e majta patriotike në Rusi kuptojnë se komunizmi është i afërt me krishterimin”, tha një zyrtar i Partisë Komuniste të Rusisë.