Inspektori i Marinës Gjermane me deklaratën e tij lidhur me konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës ka shkaktuar irritim të madh. Si rrjedhojë zëvendësadmirali Kay-Achim Schönbach u zëvendësua “me kërkesën e tij”.
“I kam kërkuar Ministres së Mbrojtjes, të më lirojë nga detyrat dhe detyrimet si inspektor i Marinës me efekt të menjëhershëm”, deklaroi Kay-Achim Schönbach. “Deklarimet e mia të pamenduara lidhur me politikën e sigurisë dhe atë ushtarake rëndojnë mjaft postin tim“, e argumentoi vendimin e tij për dorëheqjen zëvendësadmirali. “Për të shmangur dëmin e mëtejshëm për Marinën Gjermane, Bundeswehr-in, e në radhë të parë për Republikën Federale të Gjermanisë, unë e konsideroj të nevojshëm këtë hap.”
Ministrja socialdemokrate e Mbrojtjes Christine e pranoi kërkesën për dorëheqje të 56 vjeçarit, njoftoi zëdhënësi i ministrisë të shtunën në mbrëmje. Deri në vendimin për zgjedhjen e pasuesit Marina Gjermane do të drejtohet nga zëvendësi i deritanishëm i Schönbach-ut, kontra-admirali Jan Christian Kaack.
“Krimeja është e humbur”
Schönbach gjatë një raundi bisede Think Tanks në Indi ka thënë, se gadishulli i Krimesë i aneksuar më 2014 nga Rusia është i humbur për Ukrainën. “Krimeja ka marrë fund, s’kthehet më, ky është fakt“. Një regjistrim me video i kësaj bisede është përhapur në internet. Schönach hodhi poshtë edhe frikërat, se Kremlini planifikon ndërkohë një ndërhyrje në vendin fqinj. Që Rusia do të përvetësojë territor ukrainas, kjo është “absurde”.
Njëkohësisht kreu i marinës ka shprehur mirëkuptim për presidentin rus Vladimir Putin. “Ajo çfarë Putin kërkon vërtetë është respekti si i barabartë. Dhe – o Zot – të respektosh dikë nuk kushton aspak, nuk kushton asgjë. Pra nëse më pyesni mua: Është e lehtë t’i japësh atij respektin, që kërkon, dhe me sa duket ai edhe e meriton këtë.”
Ministria e Mbrojtjes në Berlin u distancua prej deklaratave të Schönbach-ut. Ato “nuk i përgjigjen kurrsesi as në përmbajtje dhe as në përzgjedhjen e fjalëve pozicionit të Ministrisë së Mbrojtjes”. Kryetarja e komisionit parlamentar të mbrojtjes në Bundestag Bundestag, liberal-demokratja Marie-Agnes Strack-Zimmermann theksoi: “Zëvendësadmirali Schönbach me deklarimet e tij ka vënë në pikëpyetje strukturën europiane të sigurisë dhe të drejtën ndërkombëtare. Dorëheqja e tij është logjike.”
“Zhgënjim i thellë”
Ministria e Jashtme e Ukrainës për këtë arsye i shprehu shqetësimin ambasadores gjermane në Kiev, Anka Feldhusen. Deklaratat e Schönbach-ut janë “të papranueshme“. Më parë ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba kishte shprehur zemërimin e tij, që qeveria gjermane nuk do të furnizojë armë në Ukrainë. “Ne shprehim zhgënjimin tonë të thellë për pozicionin e qeverisë së Gjermanisë lidhur me mosgarantimin për furnizimin me armë në Ukrainë.”
Rusia javën e kaluar grumbulloi mbi 100.000 ushtarë në kufirin ukrainas. Qeveria në Moskë i përgënjeshtron planet për ndërhyrje. Ajo kërkon nga NATO garanci për sigurinë si dhe anulimin e pranimit të Ukrainës në aleancë. Perëndimi e refuzon këtë kërkesë dhe deklaron, se ndërhyrja e trupave ruse në Ukrainë mund të ketë pasoja të rënda politike dhe ekonomike.