Moska nuk fajëson presidentin Donald Trump për dështimin në përmirësimin e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
Deklarata është bërë nga presidenti rus Vladimir Putin, në një intervistë për televizionet arabe.
“Ne e dimë që edhe gjatë fushatës së mëparshme elektorale të tij ai foli në favor të normalizimit të marrëdhënieve, por për fat të keq një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende”, ka thënë Putin për televizionet “Al Arabia”, “Skaj Njuz Arabia” dhe “Radio Televizionin Arab”.
“Por ne nuk kemi pretendime pasi të gjithë po e shohim se çfarë po ndodh në politikën e brendshme amerikane”, ka shtuar Putin.
Kreu i Kremlinit është shprehur se, pikërisht agjenda e brendshme politike nuk po lejon Trump që të ndërmarrë hapat në përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Gati për bashkëpunim
Megjithatë, ai ka theksuar se Moska është e gatshme të bashkëpunojë me çdo administratë amerikane, në çdo nivel që vetë Uashingtoni të dëshirojë. Ndër të tjera, Putin ka deklaruar se Rusia ka armatime që mund të neutralizojnë çdo kërcënim që vjen nga raketat e NATO-s të vendosura në Poloni dhe Rumani.
“Këto raketa sigurisht që përbëjnë kërcënim për ne, pasi janë pjesë e një përpjekjeje për të ulur potencialin tonë bërthamor. Por nga ana tjetër është mëse e qartë se kjo përpjekje do të dështojë”, ka shtuar Putin.
Siria
Forcat e huaja ushtarake duhet të largohen nga Siria, tha Presidenti rus Vladimir Putin, duke theksuar se Moska është e gatshme të tërheqë trupat e saj nëse vendosin autoritetet e ardhshme në Damask, raportojnë agjencitë ruse të lajmeve.
“Të gjithë ata që janë jolegjitimë në territorin e çdo shteti, në këtë rast në Siri, duhet të largohen nga ai territor. Kjo vlen për të gjitha vendet”, tha Putin.
Ai vuri në dukje se “nëse autoritetet e ardhshme legjitime siriane thonë se nuk do të kenë më nevojë për praninë e Forcave të Armatosura Ruse, kjo kërkesë do të zbatohet edhe nga Federata Ruse”.
“Ne po flasim hapur për këtë çështje absolutisht me të gjithë partnerët tanë, si partnerët iranianë ashtu edhe turq. Ne kemi folur shumë për këtë me partnerët tanë amerikanë shumë herë. Unë gjithashtu u thashë kolegëve të mi hapur se territori i Sirisë duhet të jetë i lirë nga prania e huaj ushtarake dhe integriteti territorial i Sirisë duhet të rikthehet plotësisht”, tha udhëheqësi rus.
Intervista e presidentit rus u transmetua ditën e diel, në prag të vizitës së tij për në Arabinë Saudite, më 14 tetor.