Partizani i ka dhënë fund aventurës në Champions League që në fazën e parë eliminatore pasi është mposhtur 2-0 në ndeshjen e kthimit nga Qarabag. Të kuqtë e drejtuar nga Franco Lerda treguan vendosmëri në pjesën e parë, duke qëndruar parapa dhe duke bërë ndërhyrje deçizive për të mbajtur portën të paprekur.
Gjithsesi në pjesën e dytë do të rezultonte ndryshe. Skuadrat rikthehen në fushë me të njëjtën mënyrë loje, por një kros në minutën e 51 do të zinte në befasi skuadrën e Partizanit që ndëshkohet me kokë nga Ozobic. Nga ky moment kampionët e Shqiëprisë tentojnë të bëjnë diçka në sulm, por hasin shumë vështirësi.
Për t’u veçuar mbi të gjithë një rast i sulmuesit Solomon që i vetëm për vetëm me portierin nuk arrin të realizojë, madje dështon edhe në tentativën e dytë. Lerda zgjedh të ndërhyjë pas këtij moment duke futur fillimisht Braën dhe më pas Ekuban. Gjithsesi tentativat e të kuqve nuk rezultojnë deçizive, ndërsa në minutën e 94 Quintana finalizon një kundërsulm duke dyfishuar shifrat dhe duke vulosur kualifikimin për Qarabag.
Kujtojmë se ndeshja e parë në Tiranë ishte mbyllur me shifrat 0-0. Për Partizanin ky nuk ishte fundi në Kupat e Europës pasi të kuqtë tani do të marrin pjesë në turin e dytë eliminator të Europa League aty ku do të përballen me Sheriff Tiraspol.