Një 30-vjeçar është arrestuar nga forcat e Komisariatit Nr.1 të Policisë së Tiranës, i cili qarkullonte i armatosur me pistoleta.
30-vjeçari me iniciale E.T. po udhëtonte me makinën e tij dhe u ndalua për kontroll nga policia në lagjen “Ali Demi” në kryeqytet në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Gjatë kontrollit në çantën e tij të dorës, atij iu gjetën dy pistoleta të cilat janë dërguar për ekspertim teknik. Po kështu, 30-vjeçarit iu sekuestruan edhe një sasi fishekësh, doza kokaine dhe një dorëze grushti.
30-vjeçari E.T. u arrestua në flagrancë dhe akuzohet për armëmbajtje pa leje, prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta.