Politika Qëndrimi kundër SHBA-së, Bushati thirret nga Kuvendi

Qëndrimi kundër SHBA-së, Bushati thirret nga Kuvendi

Komisioni parlamentar për Politikën e Jashtme do të thërrasë të hënën në seancë dëgjimore ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati.

Mësohet se kryediplomati do të japë sqarime para anëtarëve të këtij komisioni lidhur me qëndrimin e Shqipërisë në votimin e Rezolutës 71/258 (datë 23 dhjetor 2016) të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, lidhur me bisedimet mbi një traktat për ndalimin e armëve bërthamore.

Në datën 23 dhjetor 2016, Shqipëria ka vendosur të votojë pro rezolutës duke dalë kundër qëndrimit të përgjithshëm të vendeve anëtare të NATO-s si dhe kundër SHBA-së.

Shqipëria dhe dy vende të tjera, pa ndonjë peshë të madhe në NATO, kanë votuar pro rezolutës në Kombet e Bashkuara, që bën fjalë për mbledhjen e një samiti gjatë vitit 2017, për të negociuar një instrument ligjor detyrues për të ndaluar armët bërthamore, që do të çonte në eliminimin e tyre të plotë.

Pikërisht për këtë arsye SHBA-ja kishte vendosur të bënte lobimin për të mos votuar këtë rezolutë, pasi sipas SHBA-së: “Aftësitë mbrojtëse sipas një mpleksje të përshtatshme të aftësive të mbrojtjes bërthamore, konvencionale dhe raketore, mbeten një element thelbësor i strategjisë së përgjithshme të NATO-s dhe për aq kohë sa armët bërthamore ekzistojnë, NATO do të mbetet një aleancë bërthamore”.

Ndërkohë, një arsye tjetër e thirrjes së Ministrit Bushati në Kuvend është dhe ajo mbi vizitën e kryer prej tij në Republikën Islamike të Iranit, më 15 janar 2017, një shtet ky që ka probleme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.