Një nga qentë e presidentit Joe Biden vijon të shkaktojë probleme në Shtëpinë e Bardhë, duke kafshuar agjentët sekretë që ruajnë ndërtesën dhe sigurinë e liderit më të fuqishëm në botë.
Një tjetër efektiv u sulmua mbrëmjen e së hënës teksa ishte në shërbim, një incident që përsëritet për herë të 11-të, ku agresori është i njëjti, qeni me emrin “Komandanti”.
Zyra e shtypit, më herët është shprehur për një incident të ngjashëm, se qeni vuante nga stresi për shkak se jetonte në Shtëpinë e Bardhë.
“Komandanti” është qeni më i vogël i dy Pastorëve Gjerman që familja Biden disponon. Rastet e tjera të kafshimeve janë regjistruar në shtëpinë që çifti presidencial ka në Delauere.
Zëdhënësi i Shërbimeve Sekrete, Anthony Guglielmi informon se ngjarja ndodhi në orët e pasdites, teksa agjenti që u kafshua mori ndihmë mjekësore dhe është në gjendje të mirë.
Por faktet tregojnë se jo vetëm “Komandanti” është problematik. Edhe qeni tjetër i Biden me emrin “Majori”, ka qenë i përfshirë në sulme të ngjashme ndaj oficerëve të Shërbimit Sekret.