Qeveria po mendon për lehtësimin e sektorit fason në këtë periudhë emergjence kombëtare.
Përmes një letër përgjigjeje ndaj kërkesave të Shoqatës Kombëtare të Punëdhënësve “Proeksport Albania”, Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj bën të ditur se, “personalisht kam vendosur kontakt me qeveritë e vendeve fqinje dhe ato të Bashkimit Europian, për të kërkuar bashkëpunimin e tyre me kompanitë shqiptare duke i përshtatur kërkesat në funksion të situatës së emergjencës, për prodhimin e maskave, veshjeve dhe këpucëve.”
Në letër, Ministri Ahmetaj shkruan se, qeveria shqiptare është tërësisht e angazhuar për të mos lënë asnjë sektor të ekonomisë pa vëmendje dhe “brenda mundësive tona, të mbështesim me masa të dedikuara, jo vetëm për vazhdimin e aktivitetit, por mbi të gjitha, për vazhdimin e pagesave ndaj punonjësve, të cilët gjithashtu, në këtë moment, nuk duhen lënë jashtë vëmendjes nga kompanitë.”
Po ashtu ministri Ahmetaj thotë se qeveria është duke vlerësuar efektet e shkaktuara edhe në këtë sektor si në çdo sektor tjetër të ekonomisë shqiptare dhe një grup i posaçëm pune pranë Ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, është aktualisht në përfundim të procesit të vlerësimit të sugjerimeve dhe propozimeve të sipërmarrjeve në disa sektorë, përfshirë atë fason.
Më herët, në një letër me kërkesa për ti shpëtuar kësaj situate emergjence, shoqata i kërkonte qeverisë mes të tjerash, shtyrje për një afat të caktuar pagesa të detyrimeve fiskale për të gjithë kompanitë fasoniste, me synim sigurimin e likuiditetetit të nevojshëm të kompanive për të paguar pagat e punonjësve, kur kompanitë janë duke punuar apo ato kanë ndërprerë veprimtarinë ekonomike.
Mbi të gjitha, “Proeksport Albania” në atë letër-paketë kërkesash i kërkonte qeverisë që të urdhëronte autoritetet që të paguajnë menjëherë, pa hezitim dhe pa zbatuar hallkat e tepërta rimbursimin e TVSH.