Qeveria miratoi sot vendimin për kompensimin e qirasë së banesës së Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku.
Vendimi i miratuar sot nga Këshilli i Ministrave parashikon kompensimin, në masën 35 000 lekë në muaj, të pagesës së qirasë së banesës për strehimin në qytetin e Tiranës, të prokurorit të caktuar të kryejë përkohësisht detyrën dhe funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm.
Pagesa e kompensimit është deri në përfundim të periudhës së përkohshme, dhe do të kryhet çdo muaj, me fondet e buxhetit të miratuar për vitin 2018 për Prokurorinë e Përgjithshme.
Shuma e përgjithshme e fondit, që do të përdoret për pagesat e kompensimit, do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit dhe rishpërndahet në buxhetin e miratuar për Prokurorinë e Përgjithshme.