Konferencën për shtyp, kryeministri Edi Rama e nisi duke i uruar mirëseardhjen Albin Kurtit në Tiranë, në të parën vizitë si kryeministër i Kosovës.
Duke theksuar se pati me të një komunikim të hapur, Rama lajmëroi mbledhjen e radhës së dy qeverive e cila do të mbahet në Shkodër në fund të marsit.
Rama: Kemi pasur komunikim ta hapur, intensiv se ku jemi dhe ku duam ti çojmë marrëdhëniet tona duke synuar një shpejtësi të re në të gjitha fushat dhe duke gjetur gatishmëri të plotë reciprokisht. Kemi rënë dakord për përgatitjen e mbledhjeve të dy qeverive që do të mbahet në Shkodër sepse e fundit ishte në Pejë.
Të pyetur sesa e efektshme do të jetë mbledhja e ardhshme e dy qeverive duke pasur parasysh se një pjesë e marrëveshjeve të nënshkruara nga mbledhja e nëntorit 2018 ende nuk janë implementuar, dy kryeministrat patën këto komente.
Kurti: Ne jemi kryeministra që shprehim vullnetin dhe planet, parashikimet ti bëjnë të tjerët. Ekziston vullneti, plani, komisioni ndërshtetëror që do të trajtojë edhe zbatueshmërinë e plotë të marrëveshjeve dhe shtimin e tyre. Prej kontrolleve dhe verifikimeve të dyfishta që kanë dy shtetet tona deri te fakti se në Kosovë për të pasur leje qëndrimi duhet të kesh leje pune dhe për të pasur leje pune duhet të kesh leje qëndrimi, përbëjnë një listë anomalish që do ti trajtojmë dhe eleminojmë që dy vendet tona të jenë sa më afër me njëra-tjetrën dhe të integruara për hir të qytetarëve tanë.
Rama: Është e vërtetë që kemi nevojë për një shpejtësi të re, Albini e quan fillim i ri, është i ri në detyrë, por një shpejtësi e re është e domosdoshme. Kemi shumë marrëveshje, një pjesë e tyre kanë ecur mirë, një pjesë nuk kanë ecur mirë dhe besojmë që komisioni ndërshtetëror do ti japë mundësi të dy qeverive të mblidhen jo thjesht për të nënshkruar marrëveshje të reja por për të parë ecurinë e marrëveshjeve ekzistuese, do të na japë mundësi të dyve për të ndjekur dhe shtyrë në drejtimin e duhur në ato pika ku komisioni do të konstatojë që ka nevojë për ushtrim të vullnetit qeverisës. Përmendi lejen e punës. Ministri Cakaj ka marrë një iniciativë dhe sot qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë fare të bëjnë asnjë procedurë burokratike për të punuar në Shqipëri, ndërkohë në Kosovë ka mbetur procedura njësoj si për kinezët ashtu dhe për shqiptarët. Kjo është çështje burokracie, nuk ka lidhje me vullnetin qeverisës që është i plotë. Sfida jonë është të bëjmë makinën burokratike që të lëvizë me shpejtësinë e dëshirës sonë. Në këtë aspekt, duke qenë se Albini vjen me energji të reja është potencial për të shtyrë më shumë dhe besojmë se do të arrijmë të shtyjmë më shumë. Mbledhjen e fundmarsit besoj se do të na gjykoni për faktet dhe jo më për përshëndjet ceremoniale.
Temë diskutimi mes kryeministrave Kurti dhe Rama ishte edhe minishengeni ballkanik.
Rama: Kemi diskutuar edhe për procesin e Berlinit dhe do vazhdojmë të flasim për të harmonizuar veprimet dhe hapat në funksion të nismës për implementimin e katër lirive themelore në rajonin tonë. Bashkëpunimi me Kosovën mbetet prioritet i prioriteteve. Nëse nuk realizojmë lëvizjen e plotë të njerëzve dhe më pas dhe të mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve nuk e kemi kryer detyrën ndaj të ardhmes dhe njerëzve tanë. Është themelore të heqim kufirin mes dy shteteve. Jemi 100% në mbështetje të Kosovës në gjithë betejën për të çuar përpara procesin për njohjen e plotë. Makroshengeni shqiptar është i lidhur ngushtësisht me shengenin rajonal. Na takon të bëjmë më të mirën dhe të mos humbasim kohë.