Kryesore Albin Kurti nga Tirana: Duam që në shekullin XXI të ecim bashkë...

Albin Kurti nga Tirana: Duam që në shekullin XXI të ecim bashkë dhe fuqishëm

Vetëm një javë në karrigen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duket i lidhur fort pas simbolikave.

Ashtu edhe si paraardhësit e tij, Kurti vijoi traditën duke zgjedhur Shqipërinë për të parin udhëtim jashtë vendit.

Nga Tirana zyrtare, ai foli për një fillim të fuqishëm dhe forcim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë në një nivel të paparë ndonjëherë.

Albin Kurti: Një javë në detyrë si kryeministër i Kosovës. Vendi i parë që vizitova si kryeministër jashtë Prishtinës kryeqytet ishte Prekazi i kryekomandantit Adem Jashari. Qyteti i parë që vizitova jashtë Prishtinës ishte Mitrovica. Dhe shteti i parë patjetër duhej të ishte Shqipëria.

Faleminderit për mikpritjen e përzemërt dhe bisedën konstruktive. Në këtë dekadën e tretë të shekullit XXI të kemi një fillim të fuqishëm të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri çfarë nuk ka pasur asnjëherë mes dy vendeve tona.

Kosova e Shqipëria janë prioritet i njëra-tjetrës dhe nuk presin asnjë fushë. U dakordësuam të formojmë një komision ndërshtetëror i përbërë nga ministra e deputetë që 77 marrëveshjet që janë nënshkruar të zbatohen, por dhe të shtohen marrëveshje të reja.

Duam të shtojmë bashkëpunimin, e bashkërendimin duke thelluar dhe zgjeruar atë. Falenderoj Republikën e Shqipërisë për përkrahjen e pakursyer, Kosova nuk do ia dilte me sukses në luftë karshi Serbisë po as në paqe pa Shqipërinë.

Ne kurrë nuk e harrojmë dhe duam që në shekullin XXI të ecim bashkë shpejt dhe fuqishëm. Në veçanti duam të bashkëpunojmë në aspektin ekonomik, në fushën e prodhimtarisë, arsimit, sigurisë dhe politikës së jashtme. Këto janë fushat që kemi preokupimet e njëjta dhe partnerët dhe aleatët tanë perëndimorë janë të njëjtët.

Nevojën për një stimul dhe shpejtësi të re në marrëdhëniet mes dy vendeve e nënvizoi dhe kryeministri Rama.

Edi Rama: Është e vërtetë që kemi nevojë për një shpejtësi të re, Albini e quan fillim i ri, është i ri në detyrë, por një shpejtësi e re është e domosdoshme. Kemi shumë marrëveshje, një pjesë e tyre kanë ecur mirë, një pjesë nuk kanë ecur mirë dhe besojmë që komisioni ndërshtetëror do ti japë mundësi të dy qeverive të mblidhen jo thjesht për të nënshkruar marrëveshje të reja por për të parë ecurinë e marrëveshjeve ekzistuese, do të na japë mundësi të dyve për të ndjekur dhe shtyrë në drejtimin e duhur në ato pika ku komisioni do të konstatojë që ka nevojë për ushtrim të vullnetit qeverisës.