Mbrëmjen e sotme në një lidhje direkte me “Opinion” në Tv Klan, kryeministri Edi Rama ka sqaruar se cilët janë ata qiramarrës që nuk do ta paguajnë këstin mujor për dy muaj, Maj dhe Prill, por do t’i paguajnë në muajt në vijim.
Si do të funksionojë mospagimi i qirave dhe a ka të drejtë shteti të ndërhyjnë në një marrëdhënie private?
“Kjo ishte nisja e një Akti Normativ, që besoj se u jep përgjigje një pjese të shqetësimeve. Të gjithë qiramarrësit individë që kanë kontratë qiraje për banesë, që kanë kontratë pune dhe e kanë pezulluar për shkak të Covid- 19, nuk do ta paguajnë qiranë për 2 muaj. Po ashtu edhe qiramarrësit studentë, po kështu sipërmarrësit, persona fizik me të ardhura deri në 14 milion lekë në vit nuk do ta paguajnë për dy muaj, Prill dhe Maj, më pas detyrimi i prapambetur do të paguhet në mënyrë proporcionale dhe të dakordësuar me qiradhënësin pas muajit maj. Për kontratat që përfundojnë në maj do të paguhen në muaj më tej, në tre muajt e mëtejshme. Kush do të ketë probleme me marrjen e qirasë, do të ndërhyrë drejtoria e tatimeve”, u shpreh Rama.
Për rastet që nuk kanë kontratë, Rama thotë: Ka marrëveshje me noter, mes palësh apo me shtrëngim dore… mjafton që personat që kanë njërën nga këto marrëveshje të jenë me qira të deklaruar, pra që për këtë qira është paguar një detyrim, këta të gjithë do përfitojnë.
Sa u takon qiradhënësve që me qiratë që marrin çdo muaj jetojnë, atëherë do të ketë një vendim specifik “sepse këta janë persona që duhen ndihmuar“, tha kryeministri.