Prej disa kohësh në Qendrën Spitalore Universitare ” Nënë Tereza” mungon ilaçi për hepatitin B i cili rimbursohet nga shteti.
Spitali u kërkon pacientëve të blejnë zëvendësuesin i cili kushton 150 mijë lekë për një muaj.
Në Fiks Fare u ankua Vasil Thanasi i cili kurohet sistematikisht nga hepatiti B akut me “tenoviral”, të cilin ia rimbursonte shteti për shkak të çmimit të kripur që ka ilaçi.
Por para tre muajsh ai është paraqitur për të marrë mjekimin e tij 3 mujore pranë QSUT siç ka bërë zakonisht. Aty i kanë dhënë mjekim vetëm për një muaj. Pas një muaji z.Thanasi paraqitët sërish në QSUT për të marrë mjekimin e radhës dhe aty njihet me mungesën e ilaçit.
“Më thanë s’ka fare “tenoviral”, nëse do mund të marrësh një tjetër që e zëvendëson” shprehet Vasili. Por ilaçi që zëvendëson “tenoviralin” nuk rimbursohet 100% nga shteti, por vetëm një vlerë minimale e tij. ” Unë qëndrova disa ditë pa mjekime, por për të sëmurët në gjendjen time është fatale ndaj u detyrova të blija ilaçin zëvendësues ” viread”.
Në farmacinë e QSUT-së ilaçi kushtonte 200 mijë lekë të vjetra për një muaj, ku shteti nga këto më rimburson vetëm 50 mijë lekë” shpjegon Valisi.
“Ky rimbursim është shumë i vogël, pasi unë dhe shumë pacientë të tjerë si puna ime që e duam çdo muaj nuk kemi mundësi ta blejmë 150 mijë lekë” përfundon qytetari. Ai iu drejtua Fiksit pasi e ka të pamundur që të blejë ilaçin zëvendësues. Ai kërkon ndihmën e emisionit që instancat përkatëse si Ministria e Shëndetësisë apo edhe QSUT të reagojnë.
Bashkëpunëtoret e Fiksit shkuan në farmacinë e QSUT-së dhe pyetën për ilaçin, atyre u tha e njëjta gjë që tha dhe denoncuesi. Ilaçi mungonte dhe pritej të vinte, por që asgjë nuk ishte e sigurt për furnizimin e tij të radhës. Farmacistja e spitalit sugjeron se pacientët duhet të marrin një tjetër medikament që e zëvendëson atë, por që nuk rimbursohet 100%.
Vasil Thanasi tregon se hepatitin B e ka marrë tek dentisti gjatë një ndërhyrje për heqje të një dhëmbi.
Nëse këta pacientë nuk kurohen sistematikisht, kjo mund të sjellë pasoja në shëndet, duke i çuar në sëmundje si cirrozë dhe me pas në kancer të mëlçisë.