Filmi “Quo vadis, Aida?”, i regjisores nga Bosnje dhe Hercegovina, Jasmilla Zhbaniç, shpallet filmi më i mirë evropian për vitin 2021.
Në ndarjen e çmimeve në Berlin, regjisorja u vlerësua në kategorinë e regjisë më të mirë, ndërsa aktorja kryesore në filmin i cili rrëfen për gjenocidin në Srebrenicë të vitit 1995, Jasna Gjuriçiç u shpall aktorja më e mirë.
Këtë film, regjisorja ua dedikoi nënave të Srebrenicës, duke theksuar se gratë gjithmonë gjejnë mënyrë të ndërtojnë paqen në një shtet të shkatërruar. Në këtë film, luan edhe aktori nga Kosova, Alban Uka.
Filmi rrëfen ankthin e një nëne e cila tenton të shpëtojë dy djemtë e saj dhe bashkëshortin nga forcat serbe të udhëhequra nga Ratko Mlladiç, të cilët pasi hynë në zonën e mbrojtur të OKB-së në Srebrenicë, vranë më shumë se 8 mijë boshnjakë.
Çmimet për filmin më të mirë evropian ndahen nga viti 1998, dhe cilësohen si Oscar evropian.