Qytetarët shqiptarë së shpejti do të paguajnë një taksë edhe për banesën që disponojnë. Kjo falë një projekti të posaçëm që ministria e Financave ka hartuar mbi bazën e rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Në bazë të tij është taksimi i pasurisë së paluajtshme nga niveli prej 0.075 % deri në 0.15% të vlerës së tregut të pronës.
Konkretisht, formula e propozuar nga FMN-ja parashikon llogaritjen e taksës mbi vlerën e apartamentit sipas tregut, por duke përfshirë edhe truallin mbi të cilin është ndërtuar pallati apo vila.
Ndërsa i bie që të paguajnë më shumë ata qytetarë që i kanë banesat me sipërfaqe më të madhe se të tjerët.
Nga ana tjetër, për tokën bujqësore, FMN-ja ka propozuar taksën 21 euro në vit, apo 1.1% të të ardhurave minimale vjetore të fermerit. Gjithashtu, në draftin përkatës propozohet që taksa mbi pronën të paguhet me faturën e energjisë elektrike.
Ministria e Financave ka të dhënat për të gjitha banesat dhe pronat në vend dhe mbi bazën e tyre do të llogaritet edhe taksa për metër katror.