Ka nisur protesta e opozitës në Shkodër. Dhjetëra qytetarë u nisën nga bashkia e qytetit, duke marshuar në Pedonale në shenjë sensibilizimi.
“Qytetnimi asht ma i fortë se krimi. Po na vrasin, na duhet reagimi”, shkruhet në pankartën e madhe që protestuesit mbajnë në duar.
Në fillim u ra dakord që të ishte formë e mosbindjes civile, por ky marshim ishte paqësor. Qytetarët mbajtën edhe një minutë heshtje për viktimat e atentatit në Dobraç, ku mes tyre ishte dhe një qytetare e pafajshme, Flutura Basha.
I pranishëm në këtë marshim është edhe ish-kreu i kësaj bashkie, demokrati Bardh Spahia. Ai deklaroi për mediat se “të gjitha strukturat shtetërore duhet të vihen në lëvizje për të mos e lënë Shkodrën të bjerë në kthetrat e krimit”.
“Shkodra sot është djepi i krimit të organizuar dhe shkaktari i vetëm është Edi Rama dhe rilindja”. Kështu u shpreh Flamur Noka në protestën e sotme të opozitës në Shkodër.
Ai akuzoi policinë për lidhje me krimin edhe u bëri thirrje qytetarëve të ngrihet kundër regjimit.
“Prandaj jemi këtu për të sensibilizuar qytetarët e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë kundër këtij krimi. Nuk mundet Shqipëria, që ka hapur kapitujt e negociatave dhe është anëtare e NATO-s, të jetë vendi i krimit të organizuar, djepi i mafies. Shqipëria duhet të jetë një Shqipëri tjetër, një Shqipëri normale. Prandaj jemi këtu, për t’i thënë stop. Plani është marshim, protestë marshim kundër krimit politik, kundër krimit me fytyrë shtetërore. Policia nuk ka kohë të merret me ligjin, ka dalë nga binarët e ligjit pasi është një narkopolici. Në momentin që policia ka në fokus luftën kundër opozitës, kjo është domethënëse. Policia është njësh me krimin, sikundër i gjithë regjimi është nën kthetrat e krimit. Mesazhi është për qytetarët të ngrihen kundër narkoregjimit, kundër krimit me pushtet, kundër këtij regjimi që po përpiqet të rrënojë Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë. Shqiptarët nuk mund të pranojnë një krim që është nën kthetrat e krimit”, tha Noka.