Banorët e shtëpive buzë liqenit Erie në Nju Jork kaluan një makth të vërtetë këtë fundjavë, pasi shtëpitë e tyre, dhe në fakt gjithçka tjetër përreth, u mbuluan nga një shtresë e trashë akulli. Pas dy ditësh me stuhi të forta dhe temperatura disa gradë nën zero, e gjithë zona u shndërrua si një skenë nga filmi “Frozen”.
Ed Mis ka jetuar në shtëpinë e tij në Hamburg, Nju Jork, prej 8 vitesh, por edhe pse ka pasur edhe më parë stuhi të tilla, këtë herë gjërat ishin më keq se kurrë. “Duket e pabesueshme, sikur nuk është e vërtetë”, tha ai për CNN. “Brenda shtëpisë sime është errësirë totale dhe kjo është pak e frikshme”.
Në oborrin e shtëpisë së tij akulli ka arritur mbi 3,5 metra lartësi. Ndonëse mund të duket një pamje e bukur nga larg, banorët janë të shqetësuar se akulli mund të shkaktojë probleme te struktura e shtëpive. “Kemi frikë që kur akulli të nisë të shkrijë, çatia nuk do të mbajë”, tha Mis, i cili shpreson që autoritetet lokale të shpallin gjendjen e emergjencës për t’i ndihmuar.