Në distancën e tre muajve nga vdekja e George Floyd, dhuna policore ndaj Jacob Blake riktheu protestat anti-raciste në Shtetet e Bashkuara, ndalet sporti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vetëm pak minuta përpara sfidës të pestë të fazës play off, ndërmjet Milwaukee Bucks dhe Orlando Magic, yjet e basketbollit amerikan vendosën ta bojkotojnë ndeshjen.
Basketbollistët e Milwaukee refuzuan të zbresin në fushë, duke dhënë një efekt domino, që më pas shkaktoi ndërprerjen e të gjitha ndeshjeve të programuara, duke përfshirë këtu edhe Houston Rockets-Oklahoma City Thunder dhe Los Angeles Lakers-Portland Trail Blazers.
NBA njoftoi se tri ndeshjet do të shtyhen për një datë që do të përcaktohet, por nuk janë anuluar. Sportistët e Bucks, të parët që nisën bojkotin, u mbështetën edhe nga Alex Lasry, zëvendëspresident dhe bashkëpronari klubit.
Vendimi për bojkotin e NBA për shkak të racizmit dhe dhunës policore është përshëndetur nga të gjithë yjet e basketbollit amerikan, të cilët kërkojnë ndryshim të menjëhershëm.
Pas basketbollit, bejsbollit dhe futbollit, edhe yje të tjerë të sportit i janë bashkuar iniciativës së bojkotit. Gjatë turneut të tenisit në Cincinati, Naomi Osaka, dy herë fituese e eventit, njoftoi tërheqjen nga sfidat gjysmëfinale, në formë proteste për ngjarjen e radhës të dhunshme ndaj komunitetit afro-amerikan. “Më përzihet kur shoh gjenocidin e vazhdueshëm të policisë ndaj njerëzve me ngjyrë”, ishte mesazhi i tenistes.