Rafael Nadal arriti të fitonte finalen e Australian Open, duke marrë kështu trofeun e 21-të në karrierë, një rekord botëror. Spanjolli la pas rivalët “e përjetshëm” të tij, Novak Djokovic dhe Roger Federer, të cilët kanë fituar në karrierë 20 trofe Grand Slam.
Tenisti spanjoll Rafael Nadal fitoi të dielën grand slam-in e Australian Open. Ai mundi 3-2 në finale rusin Daniil Medvedev (2-6, 6-7, 6-4, 6-4, 7-5). Një fitore me përmbysje e spanjollit, që arriti të rikuperojë një disvantazh prej dy setesh, për të triumfuar në fund 3-2, pas 5 orësh e 25 minutash lojë në Melburn.
Kjo është hera e dytë që Nadal fiton këtë grand slam (hera e parë në vitin 2009), por mbi të gjitha ai arrin kuotën e 21 grand slam të fituar në karrierë, si askush tjetër, duke shkruar historinë. Pavarësisht moshës (36 vjeç), ai arriti të tregojë grintë e karakter në fushë, duke mos hequr dorë edhe kur fitorja dukej një “mision i pamundur”.
Medvedev e nisi mirë ndeshjen, duke e dominuar atë në setin e parë, ku fiton 6-2. Në të dytin gjithçka vendoset në “tie break”, me rusin që fiton 7-6. Mjaft i ekuilibruar edhe seti i tretë, me Nadal që fiton një “game” me topat e kundërshtarit dhe krejt këtë set 6-4, duke rihapur ndeshjen.
Nadal nuk e ul ritmin dhe arrin të përsëritë në setin e katërt atë që bëri më herët, duke fituar sërish 6-4. Barazim 2-2 me sete dhe gjithçka vendoset në setin final, ku është spanjolli, që i karikuar nga dy setet e fundit, dominon në fushë. Nadal fiton 7-5 e krejt takimin 3-2, duke realizuar atë që dukej e pamundur një muaj më parë.
Edhe vetë Nadal nuk besonte se do të arrinte deri këtu, duke bërë një turne të jashtëzakonshëm dhe mbi të gjitha duke fituar një finale që dukej e humbur përballë numrit 2 në botë. Spanjolli tregoi se është më i miri në histori. Pasi realizoi pikën e fundit, qeshte dhe nuk besonte se kishte fituar, duke fesuar si i çmendur në stadium.
Turneu u shënua nga mungesa e Djokovic, pasi tenistit serb iu mohua hyrja në Australi për shkak se nuk kishte marrë vaksinën kundër koronavirusit. Ndërsa Roger Federer mungoi për shkak të një dëmtimi. Edhe Nadal ishte në dyshim për këtë turne, për shkak se kishte qëndruar jashtë fushave të tenisit përgjatë gjysmës së dytë të vitit 2021, për një dëmtim në këmbë dhe më pas u infektua me Covid. Por me fitoren e kësaj finaleje epike, spanjolli tregoi se është ende në majat e këtij sporti.