Gjatë një takimi të zhvilluar me demokratët e Lezhës, Sali Berisha u shpreh se kryeministri Edi Rama është një ndër armiqtë më të egër i shqiptarëve dhe opozitës në veçanti.
Duke e krahasuar kreun e qeverisë me krimet që ushtruan nazistët ndaj hebrenjve, ish-kryeministri u shpreh se Rama e kontrollon prej kohësh Lulzim Bashën, e për këtë arsye demokratët duhet të bashkohen për t’i bërë ballë.
“Ai ka dëshmuar një urrejtje jo më të pakët për aq sa ka në dorë, sa nazistët ndaj hebrenjve. Ai do t’u thotë ju, demokrate e demokratë, të cilët u ngritën me sakrifica të mëdha, me guxim e trimëri, e morët Shqipërinë në supe, e anëtarësuat në NATO, e nxorët nga honet e mjerimit dhe varfërisë dhe po ecte në një rrugë normale zhvillimi.
Ai do t’u thotë ju se nuk jeni demokratë, njëlloj si nazistët që u hiqnin emrat hebrenjve dhe u jepnin një numër. Dhe do t’u thotë se nuk jeni demokratë, por ju jeni Lulzim. Se unë Bravën e kam në xhep.
Demokrate e demokratë, në tërë historinë që nga dita e themelimit gjer sot, ne nuk kemi përballë një armik më të egër, më çnjerëzor se Edi Ramën.
Është në detyrën tonë, në detyrimin tonë t’i themi armikut, armik dhe t’i qëndrojmë armikut si armik”, tha mes të tjerash Berisha.