Kryeministri Edi Rama, ndërsa po mbronte paketën antishpifje në Parlament ka marrë si shembull analistin Artur Zheji, që sipas Ramës është një shpifës i ulët.
Po ashtu kryeministri nuk kurseu ironinë edhe për pedagogun dhe analistin Mark Marku.
“Cila liri, liria për të thënë u shite, liria për të thënë more lek, je i korruptuar, këto nuk janë liri janë akuza, dhe të gjithë ata që do të thonë këtë duhet të japin fakte ose përndryshe do të përballet me personin që e akuzon dhe patjetër që duhet të paguajë ndëshkimin e ligjit që këtu në këtë ligj është qesharak.
Artur Zheji e bëri vajzën tonë dashnore të ministrit dhe tani thotë do largohem nga Shqipëria po u bë ky ligj. Pasi shkoi edhe në gjykatë, humbi dhe gjyqin se shpifi ulët. Unë me këta kështu jetoj dhe mbijetoj 1000 vjet të tjera, kjo është për shoqërinë. Kjo është për shoqërinë, për të lehtësuar koncentratin e helmit që hidhet në shoqëri nga mëngjesi deri në darkë.
Një tjetër hero atje jashtë është Mark Marku, që jo më larg se dje, pashë një reflektim në të gjithë portalet e lirisë, nuk lë fjalë të ndyrë pa i thënë një deputeti duke e kërcënuar se do i thyej kokën me shishe, ky është profesori i letrave Mark Marku që duhet markuar me pullë të kuqe, që merr përsipër të flasë për lirinë, por ka gjithë lirinë të flasë atë që do. Ky ligj nuk është për deputetin, që të çoi përpara autoritetit Mark Markun, se iu shthur goja në një moment të caktuar, jo nuk është për të. Ky ligj është për të garantuar publikun që të mësojë më shumë për ato që thuhet. Nëse një qytetar lexon gjithë këto të zeza, ka të drejtën të di a janë vërtetë të tilla, a jemi të gjithë njësoj? Secili ka të drejtën të kërkojë llogarinë publike për atë që thuhet, për çfarë flasim? Ku është këtu cenimi i lirisë së fjalës, ku është liria e opinionin që po cenohet?”, tha Rama.