Në një komunikim me gazetarët, kryeministri Edi Rama tha këtë të martë se asnjë centimetër i truallit të Teatrit Kombëtar nuk do të përdoret për zhvillim privat.
“Nëse ne do të ishim të interesuar për zhvillim privat dhe jo të teatrit do ta kishim të lehtë fare. Do të bënim kopjen e Teatrit ekzistues, sepse ai nuk restaurohet dot, do ishte shumë më e lehtë. Me projektin e ri, kërkojmë shumë më tepër fond nga privati. Këtu çështja është politike, mediokritet dhe e kapur pas asgjësë, për të bërë zhurmë. Nuk kemi ne asnjë interes që të bëjmë zhurmë, nëse nuk kemi bindjen që e ardhmja, ndërtohet sot dhe sot nuk mund të bëjmë diçka që të mos i vlejë të ardhmes”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se godina aktuale e Teatrit Kombëtar është e degraduar, në mënyrë të parikuperueshme.
“Godina e Teatrit Kombëtar nuk është një çështje verbërie apo indiference, por realiteti. Është një godinë e ndërtuar nga Ushtria Italiane me material të përkohshëm, jo për të qenë Teatër Kombëtar. Ka mbetur si rezultat i pamundësive dhe është sot e degraduar, në mënyrë të parikuperueshme. Nëse do të kishte vlerë nga pikëpamja arkitektonike dhe do të kishte hapësirat për të pasur aty një të Teatër, atëherë, nuk do të ishte e mundur të restaurohej, por do të shembej dhe rindërtohej mot a mot sipas projektit dhe do të na kushtonte më pak”, përfundoi Rama.