Akuzat e Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së në Kosovë ka nxitur replika politike edhe në Tiranë. Kryeministri Edi Rama në një seri komentesh në rrjetet sociale ka kujtuar votën e Shqipërisë në Këshillin e Europës për raportin e Dick Marty-t në vitin 2011.
“Ilir a mund t’ia thuash shqiptarëve pse e votove pro raportin e Dick Marty, bashkë me Saliun kur ne e votuam kundër? Po ti Lulëzim a e sqaron dot çfarë dosje ke përgatitur për sajesën e Shtëpisë së Verdhë bashkë me mjekun peruan që dëshmon se ti ke mbledhur dëshmitë bashkë me të?”, shkruante Rama.
Përgjigjen e ka marrë nga kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha që thotë se Rama po zhvendos vëmendjen nga situata e pandemisë.
“Edi Rama lëri shpifjet dhe lojërat politike, përgjigju pse nuk e hap Covid 4? Pse të infektuarit dergjen nëpër ambulanca e nuk ka vend për ta? Pse vazhdon vjedhjen dhe i le të sëmurët të vdesin rrugëve. Pasi shkatërrove ekonominë, tani po ju merr shqiptarëve jetën dhe shëndetin”, tha ai.
Replikat në distancë në rrjetet sociale nuk kanë mbetur me kaq.
“Lulëzim! Mos u fshih pas Covidit dhe lëri akuzat për ata që po luftojnë përditë në vijën e parë kundër virusit, po përgjigju për faktin që ke qenë bashkë me mjekun peruan në bërjen e dosjes për Shtëpinë e Verdhë! E thuaje çfarë mendon për votën e PD-LSI pro raportit të Dick Marty”, shkruante Rama.
“Në vend që të bëjë detyrën, Edi Rama bën zëdhënësin e Beogradit. Ai është përgjegjës për jetët e humbura dhe shëndetin e shqiptarëve. Të sëmurët dergjen nëpër ambulanca sepse spitalet janë mbushur plot. Pasi shkatërroi ekonominë ai ka humbur kontrollin mbi pandeminë”, u përgjigj Basha.
“Pse Beogradi nuk e donte raportin e Dick Marty prandaj e miratuat ju Lulëzim! Dhe meqë ra fjala a është e vërtetë që ke përdorur maskë qysh atëherë, kur merrje në pyetje shqiptarët për llogari të zotit Dick apo edhe kjo është sajesë e Beogradit? Fol Lulëzim, thuaje të vërtetën!”, tha Rama.
“Çfarë lidhje ke ti me të vërtetën, Edi Rama? Premtove shëndetësi falas- gënjeve. Premtove 300 mijë vende pune-gënjeve. Papunësia në Shqipëri arriti majat. Premtove se do ulësh çmimet e ushqimeve dhe ilaçeve-gënjeve. Çmimet vetëm janë rritur. Premtove se do ulësh taksat – gënjeve. Premtove se do ulësh çmimin e energjisë – gënjeve. Po vjen dita të largohesh gënjeshtar. Është koha për një të ardhme të re për Shqipërinë“, shkroi Basha.
Një ditë më parë një koment ka bërë për akuzat e Ramës edhe ish-kryeministri Sali Berisha sipas të cilit rezoluta e Këshillit të Europës kërkonte hetim dhe hetimi u kërkua edhe nga SHBA-ja e BE-ja duke u mbështetur edhe nga Kosova.