Kryeministri Edi Rama “kritikoi” vonesat e anëtarësimit në Bashkimin Europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor ndërsa mbante fjalën e tij në panelin e diskutimit mbi Ballkanin, “Open Roads: Balkans Back in Business”.
Krah homologut të tij nga Maqedonia e Veriut, Rama bëri një batutë duke thënë se në fillim të procesit, në një takim në Selanik të dy ishin me flokë, ndërsa tani janë qerosë.
“Në Selanik, Dimitari i kishte të gjithë flokët, aty u tha që do të ishim në Bashkimin Evropian përpara se mua të më binin flokët dhe ja ku jemi. Dy burra qerosë sepse ne besuam në këto gjëra. Çfarë kemi nevojë është të jemi realistë, të vërtetë, të drejtpërdrejtë dhe kur e them këtë mendoj sa të drejtpërdrejtë mund të jenë holandezët kur kanë zgjedhje e kur duan të presësh sa të përfundojnë zgjedhjet e tyre. Ja që kështu është, na duhet të përballemi me realitetin ndërkohë që komuniteti politik evropian është i jashtëzakonshëm,” – u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se nuk ka më kuptim të “zvarriten” nga fonde të IPA-s që janë më shumë ndihmë teknike apo me huat që bëhen gjithnjë e më të shtrenjta.