Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar të hënën dënime deri me 15 vite burg, heqje të përjetshme licence për tregtim të produkteve ushqimore dhe gjoba të majme për të gjithë ata që i quajti “spekulantë, mashtrues dhe kriminelë” që abuzojnë me sigurinë ushqimore.
“Mashtrimi me produktet, është një tjetër nen ku ne do të bëjmë ndryshime të rëndësishme në Kodin Penal. P.sh. nënproduktet e qumështit, e dini shumë mirë se si manipulohen me përbërës të ndryshëm nga përbërësit natyror, apo me shtimin e përbërësve të palejuar, apo të padeklaruara, duke u shitur si produkte të drejtpërdrejta të qumështit e kështu me radhë. Edhe ky mashtrim do të trajtohet në Kodin Penal. Dhe nuk do të ketë më gjobë, sepse kjo historia nga gjobë deri në… përbën një negociatë korruptive mes atij që kapet dhe atij që duhet ta çojë në gjykatë dhe më e keqja është se lihet me gjoba qesharake për dëme kolosale potenciale. E fundit është thyerja, heqja zëvendësimi i shenjave të sigurisë së organeve shtetërore në fushën e sigurisë ushqimore. Nuk po flas për sasinë e dënimeve, por do të shkojnë deri në 15 vite burg. Dhe ajo që është më e rëndësishmja është që do të shoqërohen me heqjen përfundimtare të lirisë për tu marrë me atë lloj aktiviteti dhe pasi të dalësh nga burgu. Me gjoba përkatëse për dëmet e shkaktuara ndaj konsumatorëve dhe po diskutojmë edhe sekuestrimin e të gjitha aseteve të prodhimit në mënyrë që kush merr përsipër të prodhojë ushqim, kush merr përsipër të eksportojë ushqim, apo të importojë ushqim, duhet ta dijë që po hyn në një sektor që lidhet drejtpërdrejtë me një detyrim themelor “moscënimin e shëndetit të atij që e konsumon”, tha Rama në një takim me grupet e interesit për ndryshimet në Kodin Penal, ku theksoi tha se Siguria Ushqimore është një sfidë e madhe dhe e vështirë që do ta çojmë deri në fund, me çdo kusht e çmim.
Rama i kërkoi ndihmë edhe medias. “Ky problem është kaq kompleks dhe kaq delikat sa do u bëja thirrje edhe mediave të na mbështesin në këtë përpjekje për të sensibilizuar maksimalisht në lidhje me masat që do të marrim dhe për të çuar prapa hekurave çdo spekulant, çdo mashtrues, çdo kriminel, sepse këto janë krime kundër shëndetit të njeriut që mund të sjellin si pasojë vdekjen, dëme të mëdha psikologjike dhe dëme të mëdha financiare, por (mediat) të bëjnë çmos të ruajnë atë që është për tu ruajtur, që është pasuri, sepse kemi 23 mijë operatorë që operojnë në fushën ushqimit.”
Kryeministri tha se edhe të krijosh idenë se këtu “gjithçka që hahet është pleh, është kriminale”.
“Nuk do të pranojmë asnjë propozim për ulje të dënimeve, çdo propozim për rritjen e dënimeve është i mirëseardhur”, tha Rama.