Kryeministri Edi Rama, në konferencën e përbashkët për shtyp me Zëvendëspresidentin e Komisionit Europian, Josep Borrell dhe Komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, deklaroi se qeveria shqiptare e ka pezulluar procesin e pasaportave të arta.
“E kemi bërë të qartë që e kemi pezulluar procesin derisa të sqarohet në nivel europian qëndrimi. Ne nuk e shpikëm këtë, e morëm si model nga vendet e BE-së që e kanë zbatuar me sukses. Ka një çështje në Gjykatën Evropiane. Nuk e nxjerrim më si çështje në tavolinë, pa parë se si do të vendosë Gjykata Europiane. Nëse gjykata vendos kundër, kjo është çështje e mbyllur; nëse gjykata vendos pro, çdo vend do të bëjë zgjedhjen e vet”, shtoi Rama.
Nga ana tjetër, kryeministri theksoi se iniciativa e amnistisë fiskale do të vijojë.
“Kemi folur për amnistinë fiskale, qëndrimi ynë është i ditur. E vlerësojmë angazhimin e Komisionit Europian për të na ofruar ekspertizë dhe duam të vazhdojmë punën me ekspertët. Ne nuk heqim dorë thjesht sepse kjo nuk është gjë e mirë në parim. Ne kemi arsyet tona për të menduar që kjo është gjëja e duhur për Shqipërinë. Prandaj i falenderojmë për ekspertizën dhe sot kemi një draft krejt tjetër nga ai që ishte në fillim, pikërisht falë ekspertizës”, shpjegoi Rama.
Ndërsa Josep Borrell, pas mbledhjes së Këshillit të Stabilizim-Asociimit, të zhvilluar në Tiranë, njoftoi se kryeministri Edi Rama i ka bërë me dije se “skema e pasaportave të arta nuk do të ndiqet më tej”.
“Mirëpritëm deklaratën e zotit kryeministër se skema e pasaportave të arta nuk do të ndiqet më tej”, tha Borrell.
Në progresraportin e Komisionit Evropian për vendin tonë, të publikuar në tetor të vitit të kaluar, thuhej se “Shqipëria rrezikon që t’i rikthehen vizat në rast se dhënia e shtetësisë sipas skemave investitore konsiderohet se përbën një rrezik në rritje për sigurinë e brendshme dhe politikën publike të Bashkimit Evropian”.
Më tej, Borrell theksoi se mbledhja e sotme që u mbajt në Tiranë është një mesazh “për integrimin evropian të Shqipërisë”.
“Këto mbledhje të rëndësishme vjetore mbahen zakonisht në Bruksel apo Luksemburg, por sot po e zhvillojmë në Tiranë, për të dhënë një sinjal të fortë për angazhimin tonë për rrugëtimin e Shqipërisë si anëtar i Bashkimit Evropian. Mesazhi kryesor është angazhimi jonë i patundur për integrimin evropian të Shqipërisë. Po punojmë së bashku për këtë, që nga negociatat e deri te nismat konkrete, siç është pjesëmarrja juaj në politikën tonë të përbashkët për sigurinë dhe mbrojtjen. Ky vend ka treguar shumë angazhim ndaj reformave të nevojshme, veçanërisht në drejtësi. Reforma në Drejtësi ka qenë rrënjësore dhe ka ecur përpara në mënyrë të qëndrueshme”, deklaroi Borrell.