Kryesore Rama: Ditën e hënë duam ta bëjmë pa makina, për të kursyer...

Rama: Ditën e hënë duam ta bëjmë pa makina, për të kursyer dhe jo për ekologji

Në një takim me përfaqësues të transportit publik, kryeministri Edi Rama është shprehur se po mendohet të bëhet dita e hënë pushim, pa makina me qëllim që të kursehet nafta.

Edi Rama: Sot ne kemi vendosur që do të bëjmë ditën e hënë pushim, duke pasur parasysh ato që janë shpjeguar pas mbledhjes. Do të bëjmë një mbledhje tjetër që ta bëjmë ditën e hënë pa makina, por që sigurisht do të vijë gradualisht dhe ajo që agjencia thotë “E diela pa makina” thonë ato, për të kursyer, jo për ekologji, ose flasim për 3 ditë mosvajtje në punë, njësoj si me Covid-in, jo për shkak infeksionesh, por për shkak kursimi. Kjo është situata.

Rritja e çmimeve është pjesa e parë e një filmi të mundshëm. Nuk ka rëndësi sa rriten çmimet, por do vijë momenti kur s’ka naftë mjaftueshëm. Ne na intereson që të gjithë njerëzit që përdorin autobusin, të mos kenë problem transportin. Të ulemi për një strategji, çfarë të bëjmë për transportin publik dhe të fillojmë një përdorim agresiv të përdorimit të veturës në mjedisin urban dhe të kuptojmë se çfarë të mirash mund të sjellë që realisht një alternativë serioze.

Lufta me bomba me fatalitete, për ne është në televizor, ama është e kotë dhe kundër produktive që ne të mos e pranojmë të gjithë sëbashku dhe të mos ndahemi pakicë-shumicë për disa njerëz të pashpirt që edhe kur dinë, duan ta shfrytëzojnë këtë situatë. Lufta është reale në formën e rritjes së çmimeve.

Po ashtu, Rama tha se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, ditën e sotme ka paralajmëruar mundësinë e shokut më të madh të furnizimit me naftë në dekada.

“Ne vendosëm që të vendosim 500 mln Lekë, ose 5 mln Dollarë për të suportuar diferencën dhe për t’ju kërkuar juve që të mos prekni në këtë fazë kaq delikate çmimin e biletës. Se si do të bëhet nga pikëpamja e modaliteteve është diçka është përgatitur. Është e rëndësishme që të vazhdojë shërbimi, ndërkohë që teksa po vija këtu, pashë që Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë kishte dalë zyrtarisht me një lajm që nuk është pozitiv, por që konfirmon atë që kemi përmendur disa herë, që problemi në këtë situatë nuk është kaq sa shohim ne dhe kaq sa duket se këtu problem është mungesa. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, sot zyrtarisht ka paralajmëruar mundësinë e shokut më të madh të furnizimit me naftë në dekada. Nga çfarë kemi parë dhe çfarë jam munduar të marr informacione nga ekspertët përkatës, ajo të cilës me gjasë i referohen për dekada, është kriza e 1974, ku ne nuk kemi qenë pjesë e botës kemi qenë në bunker, por bota ka kaluar një problem shumë të madh në mungesën e kapacitetit të furnizimit me naftë”, u shpreh Rama.