Politika Inceneratorët, PD dërgon në SPAK kallëzimin për grupin e strukturuar kriminal

Inceneratorët, PD dërgon në SPAK kallëzimin për grupin e strukturuar kriminal

Partia Demokratike ka dërguar në SPAK një kallëzim të gjatë, thuajse 80 faqe, të mbushur me 112 prova, sipas PD-së, “në lidhje me grupin e strukturuar kriminal, që ka punuar për abuzimin e 430 milionë eurove” të lidhur me inceneratorët.

Sipas nënkryetares së PD, Jorida Tabaku, ky kallzim penal është “kurorëzimi i një pune të gjatë dhe voluminoze të kryer nga komisioni hetimor i inceneratorëve dhe mbi të gjitha nga Partia Demokratike”.

“E vërteta shpaguhet”, u shpreh Tabaku, ndërsa po i prezantonte mediave se si skema e kompanive të kryesuara nga 3 persona, me lidhje tejet të ngushta në qeveri, ka mundur të sigurojë 3 kontrata me vlerë 430 milionë euro.

Siç edhe kishte premtuar më parë, pas përfundimit të dërgimit të raportit në seancën plenare, nënkryetarja e PD dhe njëkohësisht kryetarja e Komisionit Hetimor të Inceneratorëve, deklaroi sot se PD po çon në SPAK një kallëzim penal për 50 persona, në kuadrin e Grupit të Strukturuar Kriminal.

Tabaku i bëri një apel SPAK-ut: “Të mos ketë dosje të veçanta për hetimin. Të hetohen në një hetim të vetëm. Grupi ka funksionuar si një i vetëm. Kompanitë kanë marrë kredi bankare dhe janë pa eksperiencë. Të hetohen së bashku të 50 individët. Janë po të njëjtët individë që kontrollojnë dhe zbatojnë kontratat”.

Tabaku, u shpreh se ka keqardhje që deputetë demokratë bashkuan votat me Edi Ramën, kundër raportit të komisionit hetimor mbi inceneratorët.

“Unë nuk shprehem dot se janë të shitur, nuk e kam këtë edukim politik. Ato mund të kishin shmangur votën duke abstenuar, nëse unë jam treguar jokorrekte me raportin, duke mos ua dhënë”, tha Tabaku.

“Por, ata zgjodhën të bashkojnë votën me Edi Ramën. Ky raport vërteton se ne ishim në të drejtë”, shtoi nënkryetarja e PD-së.