Kryesore Rama: Do të denoncoj në SPAK çdo tender të dyshimtë

Rama: Do të denoncoj në SPAK çdo tender të dyshimtë

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar këtë të martë përpara ministrave të tij dhe titullarëve të autoriteteve të ndryshme kontraktore paketën e re të prokurimeve publike. Kreu i qeverisë tha se paketa jep mjete të reja dhe efikase duke garantuar një kuadër rregullator prokurimi publik në vendin tonë e duke iu përafruar legjislacionit europian.

Rama solli shifra dhe tha se Agjencia për Prokurimin Publik ka dërguar rekomandime në rastet kur kanë rezultuar problematika. Ai u shpreh se 21% e institucioneve nuk kanë kthyer përgjigje. Për këto raste, Rama pati një paralajmërim të fortë duke thënë se do të jetë vetë Kryeministria që do t’i çojë në SPAK.

“Ama sikur në një rast të vetëm rekomandimet të bien në një vesh aq të shurdhët sa mos të ketë më fare përgjigjemi, a thua se Agjencia mbyll letra në shishe dhe i hedh në det që dallgët t’i nxjerrin ku t’i nxjerrin, çdo rast i tillë do të shkojë në SPAK dhe do shkojë në SPAK nga kjo godinë këtu. Pastaj a është i qëllimshëm, a është thjesht injorancë në raport me etikën shtetërore, këtë çështje indiferentët përkatës ta shpjegojnë duke marrë avokat me vete”, tha Rama.

“Institucionet të mos funksionojnë si bajrake”

Sipas kryeministrit, për tenderat ka një nivel të ulët të kuptimit të procesit dhe kjo krijon një efekt zinxhir që sipas tij sjell rezultate të shëmtuar. Rama u shpreh se shteti shqiptar mund të kalojë në një nivel tjetër në fushën e prokurimeve publike. Ajo që duhet bërë sipas tij është që institucionet të mos funksionojnë si bajrake, por si hallka të një sistemi.

“Ajo që bie në sy është niveli i ulët i kuptimit të vetë procesit që pastaj krijon një efekt zinxhir dhe e degradon procesin në rezultate të shëmtuara. Në këtë vend mos t’i hahet haku askujt. Kush e ka me hak, të marrë hakun, kush nuk e ka me hak, të mos marrë hakun e dikujt tjetër. Është shumë më e lehtë të thuhet se të bëhet sepse procesi është në vetvete një proces i ndërlikuar, është një proces që vetë BE vazhdon sot e gjithë ditën të kërkojë rrugë dhe mjete ligjore për ta përsosur, por ama është plotësisht e mundur, objektivisht e mundur që në një  kohë të mundur, jo të gjatë, ky shtet të kalojë në një nivel tjetër në fushën e prokurimeve publike duke bërë disa gjëra të thjeshta. Duke garantuar që çdo institucion funksion si hallkë, jo si bajrak dhe duke funksionuar si hallkë, funksionon si pjesë e një zinxhiri ku komunikimi duhet të jetë jo 99%, por 100% i garantuar”, tha Rama.