192 mijë vaksinat e para kineze të firmës Sinovac kanë mbërritur në Shqipëri. Vaksinat mbërritën nga Turqia, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama për të finalizuar marrëveshjen. Shqipëria ka siguruar 1 milion vaksina kineze, nga të cilat 500 mijë do të vijnë brenda 60 ditëve, prej të cilave 192 mijë mbërritën sot.
Kryeministri Rama dha nga Rinasi edhe një tjetër lajm, atë të hapjes në Shqipëri të fabrikës që prodhon vaksinat kineze Sinovac.
“Kemi nisur edhe bisedat për të sjellë fabrikën e prodhimit të vaksinës, një fabrikë e teknologjisë së lartë e cila është një ndër kompanitë më të mëdha farmaceutike në botë, kompania që bën edhe vaksinën Sinovac, por që njëkohësisht është edhe prodhuese e shumë vaksinave të tjera. Me këtë kompani kemi nisur bisedimet për të sjellë në Shqipëri një investim shumë të rëndësishëm jo vetëm për këtë moment, por për të ardhmen. Një fabrikë prodhuese e cila do të hapë një tjetër faqe të rëndësishme në zhvillimin e sektorit të shëndetësisë në vendin tonë”, u shpreh Rama.
Gjatë konferencës për shtyp nga aeroporti ndërkombëtar Nënë Tereza, shefi i qeverisë theksoi se objektivi është që brenda muajit Maj të jenë vaksinuar gjysmë milioni qytetarë.
“Ne kemi të kontraktuara 500 mijë vaksina Sinovac dhe kemi siguruar 1 milionë. Kemi preferuar të bëjmë një kontratë fillimisht me 500 mijë për të parë më tutje të gjitha dinamikat, sepse është një proces shumë dinamik dhe këtu kemi ecur në mënyrë strategjike për të ruajtur një ekuilibër të plotë dhe me planin dhe me nevojat në raport me kategoritë dhe me numrin e përgjithshëm, por dhe me ecurinë e tregut. 500 mijë Pfizer janë të kontraktuara. 1 milion e 140 mijë të tjera që janë të parapaguara me Covax, që në total shkojnë në 2 milionë e 140 mijë.
Duke patur në gatishmëri nënshkrimin menjëherë kontratës për gjysmë milionshin tjetër të vaksinës Sinovac, ne shkojmë në 2 milionë e 640 mijë vaksina të siguruara sot që flasim. Kjo është pasqyra e përgjithshme. Besoj, në këtë pasqyrë të përgjithshme gjendemi në një pozicion për të realizuar së pari objektivin më të afërt, i cili është të lehtësojë maksimalisht sezonin turistik. Kemi vendosur Qershorin si një afat maksimal, por kemi marrë masat që të realizojmë vaksinimin e gjysmë milioni qytetarëve brenda majit dhe të vazhdojnë më tutje intensivisht për të patur një masë kritike që na lejon të jemi më shumë të çliruar.
Së dyti, objektivi përfundimtar që brenda pranverës të ardhshme ne të kemi vaksinuar gjithë popullsinë e vaksinueshme, sepse bebet dhe fëmijët e vegjël nuk vaksinohen për këtë pandemi dhe kësisoj të përmbyllim këtë luftë, as më shumë e as më pak, por në të njëjtën kohë me shumicën e vendeve të BE”.
Sakaq, Rama tha se Shqipëria është gati që të marrë përsipër vaksinimin e të gjitha bluzave të bardha të Kosovës. Ai u shpreh se është në dorën e autoriteteve në Kosovë për të vendosur nëse duan të përshpejtojnë procesin.
“Jemi gati menjëherë që nesër të marrim përsipër vaksinimin e të gjitha bluzave të bardha të Kosovës. Janë 11 mijë bluza të bardha në Kosovë dhe brenda 20 ditësh, maksimumi, duke pasur parasysh ardhjen e tyre në Kukës, ne jemi gati të kryejmë vaksinimin e të gjithëve. Në rast se duan ta përshpejtojnë procesin dhe nëse janë në gjendje të vijnë në Kukës, nuk ka problem mund të bëhet shumë më shpejt”, tha Rama.