Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Ilir Meta duhet të jetë përpara SPAK. Në fjalën e tij në Asamblenë e PS, shefi i qeverisë bëri kritika ndaj SPAK-ut, duke thënë se ka marrë nën hetim gjyqtarin Ardian Dvorani që është vlerësuar nga Sekretari amerikan i Shtetit për luftën kundër korrupsionit.
E ndërsa, siç u shpreh Rama, ai vetë personalisht dhe qytetarët duan të shikojnë Ilir Metën nën hetim nga SPAK.
“Në momentin që Shqipëria do të ulet në tryezën e negociatave gjëja e parë që do t’i thonë Shqipërisë është na tregoni pak sa gjykatës dhe prokurorë të korruptuar janë marrë në hetim dhe janë çuar para drejtësisë? Zero. E kundërta është e vërtetë. Kampioni i anti-korrupsionit me vulë dhe me firmë të Sekretarit amerikan të Shtetit është futur në hetim nga SPAK-u për një denoncimi të atij që jo unë po e gjithë Shqipëria mezi pret ta shohë përpara SPAK, Ilir Metës.
Po si qenka kjo kështu kaq e përmbysur? Kur kemi ndërmarrë reformën në drejtësi me vendosmëri të plotë dhe kur verbërisht unë personalisht e kam udhëhequr këtë reformë duke i dhënë mbështetjen më të madhe bashkë me të gjithë ju këtu pa bërë asnjëherë asnjë diskutim të asnjë neni për të cilin gjithkush këtu sidomos juristët tanë kanë pasur rezerva, unë personalisht nuk kam qenë naiv, nuk kam menduar që këtu mjafton të bëhet kjo dhe gjithçka do shkojë fjollë, as nuk kam menduar që pasi ne të kalojmë këto ndryshime në Parlament nuk do të shikojmë çudira”, deklaroi Rama.