Kryesore Rama e krahason veten me Ronaldon: Unë nuk jam Maduro, qytetarët i...

Rama e krahason veten me Ronaldon: Unë nuk jam Maduro, qytetarët i kam me vete

“Çfarë revolte popullore? Kjo është një protestë e organizuar nga establishmenti i rrëzuar me votë popullore pesë vjet e gjysmë më parë”. Kështu shprehet kryeministri Edi Rama në një intervistë për gazetën italiane, Messaggero.

“Italianët duhet të dinë se thjesht jemi në prag të zgjedhjeve lokale. Opozita është shumë pas me sondazhe dhe do të humbasë në çdo qytet. Dhe duan që të dorëhiqem”, tha Rama.

Gazetari i thotë se sheshi do jetë plot me protestues, por Rama i përgjigjet: “Çfarë do të thuash, që kanë dalë 10-15 mijë persona në një vend me 4.2 milionë banorë?”

Edhe këtë herë, kryeministri përdor krahasimin me Juventusin.

“Është sikur të kërkosh nga Juventus, meqë është shumë i fortë, të pranojë që formacionin t’ia bëjnë të tjerët, jo trajneri i tyre dhe që kampionati të nisë sërish nga fillimi… pa Ronaldon”.

I pyetur për krahasimin që i bën ish-kryeministri Berisha me Maduron në Venezuelë, Rama thotë se ndryshe nga sa ndodh atje, në Shqipëri amerikanët dhe Europa po i bëjnë thirrje opozitës.

“Ndryshe nga Venezuela, në Shqipëri, amerikanët dhe Evropa i janë apeluar opozitës për t’u nënshtruar parimeve demokratike. Nëse do të isha Maduro, do të kisha probleme me SHBA-në apo BE-në”, tha Rama.

Pyetjes së fundit se a rrezikohet një eksod drejt Italisë, në rast se situata degjeneron, Rama thotë: “Jo, jo. Kjo është thjesht një revoltë e pallatit, e një politike që është larguar me kohë dhe ëndërron të pamundurën. Dmth që të kthehen pa marrë votat”.