Kryeministri Edi Rama pohon se nuk është shumë në dijeni të rastit të ish-drejtuesit Ekzekutiv të Krimeve të Komunizmit, Agron Tufa, i cili është larguar për të kërkuar azil politik pasi pretendon se është kërcënuar nga deputeti Spartak Baho.
Në studion e emisionit “Java” në RTSH, Rama hoqi paralele mes rastit të Agron Tufës dhe një kameramani që kishte kërkuar azil në Francë, me pretendimin se i ishte cënuar liria e fjalës.
Rama thotë se në çdo vend ka të çmendur që mund të kërcënojnë nëpër telefona, por kjo nuk përbën një arsye për të thënë se këtu ka një konspiracion komunist ndaj një antikomunisti.
“Nuk e kam ndjekur, por është bërë sport kjo punë me ik jashtë me kërkuar azil duke thënë jam viktimë. Ka arrit puna që edhe një kameraman dasmash nga një zonë diku në periferi kërkoi azil në Francë si viktimë e lirisë së shprehjes. Nuk e di rastin dhe nuk hy fare, por unë besoj që në çdo vend ka të çmendur që bëjnë kërcënime në telefona, por kjo nuk përbën një arsye për të thënë se këtu ka një konspiracion komunist ndaj një antikomunisti”, u shpreh kryeministri.