Qeveria ka ndërmend të ndërmarrë disa masa lehtësuese në ditët në vijim. Masat i renditi vetë kreu i qeverisë, Edi Rama në rrjetet sociale. Ai tha se masat po përgatiten, por akoma nuk do të aplikohen. Midis tyre, kryeministri u shpreh se mund të lejohet që për ata që shkojnë në punë, të qarkullojmë me mjete private. Nga ana tjetër, do të ketë edhe një forcim të masave ndëshkimore për këdo që shkel rregullat.
“Po përgatisim disa masa lehtësuese që do të jenë me pikatore, por për të funksionuar masat lehtësuese duhet të formojmë masat shtrënguese që çdokush që thyen rregullin dhe ligjin, të ndëshkohet shumë fort. Sepse lehtësimi i masave nuk mund të jetë lehtësim në sjellje dhe kjo do të ishte hapje e rrugës për në katastrofës. Masat lehtësuese kanë të bëjnë me lejimin e plotë të automjeteve private për punonjësit e aktiviteteve të lejuara. Por në të njëjtin kohë, marrja e automjetit të punës nga familja dhe persona të tjerë do të ndëshkohet me disa vite, kjo është për t’u saktësuar, të heqjes së lejes së drejtimit, me sekuestrim mjeti dhe me heqje lirie.”
Po ashtu, Rama tha se mund të zgjerohet pak orari për të bërë pazar, madje edhe me makinë private. Në plan është që të hapen edhe disa biznese të vogla që nuk janë pjesë e qendrave tregtare.
“Do të lehtësojmë pak orarin e lëvizjes për të bërë pazar, do ta çojmë në 90 minuta dhe kryerja me automjet privat e pazarit do të jetë e mundur, por me sanksione të forta. Duam të lehtësojmë më tej aktivitetet në njësi individuale, që nuk janë brenda qendrave të mëdha tregtare. Këtu do t’u kërkoja të gjithëve që të përgatiten sepse duhet të përgatisin me maska, doreza dhe dezinfektantë për të gjithë klientët. Mosrespektimi i këtyre masave do të dënohet me mbyllje dhe me heqje lirie. S’kemi rrugë tjetër. Jemi duke studiuar edhe hapjen e orarit. Fasha orare është e diskutueshme në kushtet ku jemi tani. Nuk është fasha orare problemi. Do ta shtrijmë fashën orare, por do të jenë të përshkallëzuara me pikatore.”
Për baret, lokalet dhe restorantet Edi Rama u shpreh i prerë se nuk është ende momenti për t’i hapur. Në rast të kundërt, pronarët rrezikojnë burg.
“Kemi parë fenomenin e shëmtuar të hapjes së lokaleve nëpër lagje, trimat e lagjes që nuk rrinë dot pa pirë kafen. Kemi vënë gjoba, kemi mbyllur aktivitetin, por vazhdon historia. Janë shumë pak, por janë mjaftueshëm për të na bërë një dëm shumë të madh. Prandaj hapja e një aktivitetit të ndaluar do të dënohet me heqje lirie, me konfiskimin e gjithçka që ka brenda lokali, me konfiskimin e automjetit.”
Sipas Ramës, shifrat e deritanishme të infeksionit janë pozitive, por nuk duhet të lejohet që situata të dalë prej duarsh.