Kryesore Rama flet troç: Nuk mund të rri kryeministër me shantazhe si deri...

Rama flet troç: Nuk mund të rri kryeministër me shantazhe si deri më tani

Kryeministri Edi Rama tha  sot në komunikimin e tij javor se nuk ka më asnjë motiv të rrijë në karrigen e kryeministrit me një administratë të ndarë mes partive dhe duke u dorëzuar para shantazheve të partnerëve në koalicion për të marrë votat që i duhen qeverisë për reforma.

“Më lejoni sot t’jua them sinqerisht, fare troç, nuk kam më asnjë motiv në karrigen e kryeministrit si deri më sot, duke pranuar që administrata e shtetit të vazhdojë të rrijë peng i partive, duke pranuar që për të marrë votat për reformat që të bëjmë shtet të pranojmë shantazhet dhe listat e kërkesave të partive të koalicionet për të lëshuar drejtori në këmbim të votës dhe deri të vend pastruese në institucione për votën për një reformë, duke pranuar dorëzimin përballë këtij kanceri cfilitës në trupin e shtetit që duhet operuar rrënjësisht sot, për të vazhduar ngritjen në këmbë të shtetit shqiptar.”

Rama tha se për të është më e qartë sot se kurrë, se “Shqipëria kërkon një vendim historik me 25 qershor dhe nga ky vendim nuk varet vetëm kush do të qeverisë në katër vitet e ardhshme por se si do të jenë ky vend kur fëmijët tanë të dalin në jetë.”

Rama premtoi se nëse Partia Socialiste do të jetë e vetme në timon, administrata do të kthehet “nga halli juaj i madh sa herë të niseni për tek një zyrë në shërbëtorin tuaj më të madh tuaj,  të zhvillimit ekonomik dhe social. Ja pse vota e secilit prej jush vlen sa Shqipëria që duam.”

Kryeministri Rama, që prej nisjes së fushatës elektorale, ka akuzuar partitë me të cilat socialistët qeverisën në koalicion, përfshirë LSI-në, për shantazhe ndaj tyre, për punësime të pandershme në administratë dhe korrupsion në ministritë dhe drejtoritë që ato kanë administrojnë.