Kryeministri Edi Rama ka shtyrë me disa muaj parashikimin e fluturimit përurues në Aeroportin e Vlorës.
Në nëntor të vitit të kaluar, Rama deklaroi se fluturimi i parë në Aeroportin e Vlorës pritej të bëhej në fund të vitit 2024, por tani synohet sezoni veror i vitit 2025.
Lajmi u bë i ditur nga Edi Rama, i cili këtë të martë ka zgjedhur të shpërndajë disa pamje nga punimet që po bëhen aty.
Kryeministri thotë se po punohet me ritëm të lartë dhe synimi është që në vitin 2025 të ulet avioni i parë.
“Në Aeroportin e Ri Ndërkombëtar të Vlorës ka marrë formë e gjithë gjurma e pistës, e ku punohet me ritëm të lartë me synimin për të ulur avionin e parë në verën e vitit 2025, kur Shqipëria Turistike do të hyjë në fazën tjetër drejt marrjes së vendit kampion në Ballkan për turizmin brenda kësaj dekade”, shkruan Rama.
Aeroporti i Vlorës do të jetë aeroporti më i madh në Ballkan, duke qenë kështu një ndër investimet më të rëndësishme për ekonominë e vendit.
Kështu deklaronte ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, teksa inspektonte rrugën, e cila do të lidhë aeroportin ndërkombëtar të Vlorës me autostradën Fier-Vlorë.
“Aeroporti do jetë më i madhi në Ballkan, i kategorisë 4E dhe i jep gjithë rajonit një mundësi të re për të akesuar pa përdorur hub-et. Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, sigurisht Shqipëria dhe Kosova nuk kanë më nevojë për hub-e të fluturojnë në kontinente të tjera dhe këtë do e ofrojë Vlora”, deklaroi në atë kohë Balluku.